Petkovic: Ishin 7 vite të mrekullueshme, shpresoj ta shoh Zvicrën në Katar

Vladimir Petkovic i dha fund aventurës 7-vjeçare me kombëtaren e Zvicrës. Trajneri 57-vjeçar ka marrë drejtimin e Bordeaux në Ligue 1, klub me të cilin firmosi një kontratë 3-vjeçare.

Petkovic falënderon Federatën helvete që e lejoi të transferohej në futbollin francez. Vitet e kaluara te kombëtarja nuk do i harrojë kurrë, teksa uron që Zvicra të kualifikohet në Botërorin e vitit të ardhshëm.

“Dua të falënderoj drejtuesit e Federatës për përmbushjen e dëshirës time dhe për faktin që më lejuan të përballem me një sfidë të re në karrierë.

Kalova shtatë vite të mrekullueshme te Zvicra, të cilat nuk do i harroj kurrë. Gjithashtu do të doja të falënderoja të gjithë ata që më mbështetën dhe më shoqëruan gjatë kësaj periudhe, duke bërë të mundur sukseset që kemi arritur.

Uroj që Zvicra të sigurojë një biletë në Katar 2022“, deklaroi trajneri boshnjak. Ndërkohë, drejtori i kombëtares së Zvicrës, Pierlugi Tami ndihet keq për largimin e Petkovic.

“E kuptoj trajnerin, por jam i zhgënjyer që po i japim fund bashkëpunimit tonë të suksesshëm përpara kohe. Ndodhemi në një fazë vendimtare të kualifikimit në Kupën e Botës, të cilën duhet ta vijojmë me një tjetër trajner.

U dorëzuam përpara dëshirës së tij për të ndryshuar, i dërgoj urimet më të mira në aventurën e re“, deklaroi drejtuesi i kombëtares zvicerane.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu