Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se në Lagjen Fushë Topanë në Çair po ndërtohet pishinë e re, transmeton TV21. Siç bëri të ditur Mexhiti ndërtimi i pishinës së re është një investim prej 1 milion euro, dhe siç shtoi do t’u shërbejë fëmijëve të shkollave për mësim noti, ushtrime, gara dhe rekreacion gjatë gjithë vitit.
“Në Lagjen Fushë Topanë, në Çair, po ndërtohet pishina e re shkollore. Ky investim prej 1 milionë euro, do t’u shërbejë fëmijëve të shkollave tona për mësim noti, ushtrime, gara dhe rekreacion gjatë, gjithë vitit.
Me një sipërfaqe prej 620 m² dhe thellësi nga 80 cm deri në 1.30 metra, objekti po realizohet me themel betoni të armuar, strukturë moderne prej çeliku, sipas standardeve më të larta të sigurisë e cilësisë.
Punimet po zhvillohen me ritme të shpejta, dhe synimi është që në muajin shtator, nxënësit ta kenë gati për përdorim.
Ky projekt është pjesë e përkushtimit tonë, për të modernizuar infrastrukturën arsimore, dhe për t’u ofruar nxënësve mundësi zhvillimi”, ka shkruar Izet Mexhiti – zëvendës kryeministër i parë.