Pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet për këshilltarë në Tetovë

Tetovarët sot sërish votuan për anëtarë të Këshillit të Komunës së Tetovës, pasi përbërja e mëparshme nuk arriti të kalojë dhe miratojë projektligjin përfundimtar për vitin 2021. U votuan listat e kandidatëve me 11 parti dhe 2 grupe zgjedhësish, përcjell FLAKA.

Votimi filloi në orën 07:00. Deri në orën 18:30 dalja ishte 32.76% ose 27.545 e qytetarëve me të drejtë vote.

Anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve kanë bërë një inspektim gjatë gjithë ditës, pas së cilës kanë dalë me vlerësimin se procesi zgjedhor po zhvillohet në mënyrë paqësore dhe në kushte demokratike, me probleme të vogla teknike me pajisjet biometrike dhe është theksuar përshkrimi i disa qendrave të votimit vetëm në gjuhën shqipe.

Nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve të Tetovës thonë se bëhet fjalë për gabim teknik.

Qytetarët me mendime të ndara, çfarë presin pas këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale. Ata shpresojnë për kushte më të mira, por disa prej tyre besojnë se nuk do të ndryshojë asgjë për problemet në qytet.

“Shpresojmë të bëhet më mirë, shpresojmë, të ndryshoj diçka për të mirën e gjithë qytetarëve të Tetovës, se Tetova meriton më mirë. Këshilli komuna, krejt duhet të fokusohen në kërkesat kryesore të qytetarëve. Rrugët e pastra, trotuaret e rregulluara për të mirë të nxënësve, ujësjellësi të bëhet, siguria e qytetit dhe qytetarëve. Besoj se duhet të bëjnë diçka më mirë se qytetarët janë lodhur ma me premtime që nuk janë realizuar dhe tanimë shpresojmë të realizohen dhe faktori politik të vetëdijesohet më”, tha një banor i Tetovës.

“Fat që shpresa s`na ka vdekur ende. Deri në fund shpresojmë se do bëhet diçka më mirë, dashtë Zoti. Tetova është tregim i gjatë, fillimisht duhet higjiena, parkingjet, bashkëjetesa. Shpresa vdes e fundit, shpresoj, dashtë Zoti e mbërrijmë bashkë se kemi gjenerata të reja që presin të bëhet më mirë”, shtoi një banore.

“Më mirë të bëhet në drejtim të eliminimit të problemeve që ka komuna, me mbeturinat, qentë endacakë, mjedisin jetësorë, këto. Me një organizim më të mirë kam shpresë se do të rregullohen”, tha një tjetër banor.

“Presim diçka më mirë. Kjo deri më tani që është bërë s’është e mjaftueshme. Duhet angazhim më të madh, sidomos me qent endacakë. Në mëngjes gati e kafshuan një grua tek tregu. Më e rëndësishme uji të bëhet, gjithë qyteti me hidrofor janë, harxhojmë edhe energji elektrike”, u shpreh një banor.

“Tetova ka mjaftë probleme qoftë në infrastrukturë, qoftë në komunikacion apo furnizim me ujë, këto janë ato që gjithë ne kemi nevojë për to”, tha një tjetër.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për anëtarë të Këshillit të Komunës së Tetovës, u votua në 117 vendvotime, ku të drejtë vote kishin 84.072 votues./FLAKA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu