Jo gjithçka ka qenë harmonike në familjet shqiptare gjatë natës së mbrëmshme, kur u bë ndërrmi i motmoteve, saktësisht kalimi kalendarik në vitin 2018.
Pavarësisht që mbi 70 mijë familje mbrëmë thyen rekord me publikimin e fotografive në facebook, në mesin e një numri të konsiderueshëm të tyre kjo solli probleme dhe papajtueshmëri të mëdha.
Raportohet se për shkak të mosdakordimit për publikimin e fotografive në facebook, sherr ka pasur në 182 familje. Në disa nga to, papajtueshmëria ka eskaluar në përplasje fizike, për çfarë raportohet se dhjetëra raste kanë përfunduar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Një nga familjet që e përcolli fat i tillë ogurzi në këtë natë është familja Demolli nga Dazhnica e Kamenicës, ku pati përplasje verbale mes vëllait dhe motrës fillimisht, duke mos u pajtuar se cilën fotografi do ta postonin në facebook, çfarë më pas solli edhe konfrontim fizik mes tyre, gjë që involvoi edhe prindërit.
“Pak para orës 00:00 janë dëgjuar bërtima të mëdha nga kojshitë tanë. Me sa kemi arritur të dëgjojmë ka qenë vajza K.D. e cila i bërtiste vëllait L.D.. Pasi që u interesuam morëm vesh se e gjithë potera ishte bërë për shkak se motra urdhëronte vëllain të mos e postonte foton familjare në facebook sepse nuk i pëlqente se si kishte dalë”. ka thënë fiqnji i parë i familjes, i cili deshi të mbetej anonim, që të mos thonë më pas jo Shabani kështu, jo Shabani ashtu.
Ai rrëfen më tej se vëllai dhe motra janë përplasur gjatë me fjalë dhe vazhdimisht ka pasur ngritje toni, që më pas ka bërë që motra ta godas shpullë vëllain. E, ky i fundit, po ashtu ka goditur motrën. Pas kësaj ka qenë babai I.D. i cili i ka dal zot të bijës, duke grushtuar të birin, gjë të cilën nuk e ka duruar e ëma e nismëtarëve të këtij konflikti, Z.D..
“Zoja e shpisë është traumatizuar kur i burri e ka grushtuar të birin e tyre. Në atë moment ajo e ka marrë një tepsi dhe e ka goditur burrin në kokë disa herë, duke i shkaktuar edhe gjakderdhje, pas të cilës ka përfunduar në spital. Ajo e ka kapur edhe të bijën nga flokët dhe e ka goditur disa herë, duke i shkaktuar plagë”, ka përfunduar rrëfimin fqinji i familjes Demolli.
Përkundër këtyre telasheve, L.D., i cili ndonëse u rrah nga babai dhe motra, ia ka dalë që në fund ta postojë fotografinë familjare me rastin e Vitit të Ri, e cila pasqyronte lumturi dhe hare në familjen Demolli.
Përleshje të tilla janë raportuar edhe në 181 familje të tjera në mbarë vendin brenda natës.










