Gruevski po bën politikë të dyfishtë, realisht pro-ruse, por i deklaruar pro-perëndimore, thonë analistët e Maqedonisë, ndërsa të tjerë konsiderojnë se nuk është e drejtuar nga Rusia dhe se prioritet i VMRO-DPMNE-së janë integrimet euro-atlantike.
“Reagimet e MPJ e Rusisë rreth ngjarjeve të fundit në Maqedoni nuk duhet të kuptohen si përzierje në politikën e brendshme të vendit, por si një e drejtë e atij vendi që shpreh mendimin e vet”, thotë ish ambasadori në Rusi, Risto Nikovski, pas reagimit të fundit nga Moska se kriza politike në Maqedoni po thellohet.
“Është fakt se brengosja e tyre është e arsyeshme dhe fakt që faktori perëndimor në mënyrë direkte po përzihet në punët tona të brendhsme. Vetëm ndiqni se çfarë po deklarojnë ambasadorët në Shkup. Ata mbajnë leksione se çfarë duhet të bëjmë.
A të mbahen zgjedhje të reja apo jo, kush të formoj qeveri dhe të ngjashme, kjo është një realitet dhe për këtë është pozitive që pala ruse të tregojë se brengoset dhe është e interesuar për vendet në rajon”, tha Nikovski për “Rel”.
Kundër këtij qëndrimi janë Mersel Bilalli, i cili thekson se Gruevski po udhëheq një politikë të dyfishtë.
“Ai kërkon shpëtim me qëllim që të rrezikojë paqen në vend, të destabilizojë shtetin. Rusisë nuk i intereson për Maqedoninë, sepse nuk paraqet pikë të rëndësishme, përveç si faktor për destabilizim. Do të thotë nëse këtu gjejnë një pikë të përbashkët, atëherë do të ishte fatale për vendin dhe për të gjithë në përgjithësi”, deklaroi Bilalli.
Ish sekretari shtetëror për eurointegrime Pero Dimshoski, thotë se sjellja e VMRO-DPMNE-së në periudhën e fundit po i huton qytetarët dhe përkrahësit e politikës së tyre.
“Qytetarët e Maqedonisë nuk e dinë se cila është politika e kësaj partie. Vallë ministrat e kësaj partie pajtohen me deklaratën e VMRO-DPMNE mbi ambasadën amerikane ose do të tërhiqen nga ajo. Tani për tani nuk është e qartë.
Deri tani deklaronte një politikë, megjithatë në javët e fundit shihet qartë se kjo parti dëshiron të ndryshojë kahjen në lidhje me integrimet euroatlantike dhe thellimin e krizës politike”, thotë Dimshoski.
Nga ana tjetër, Nikovski nuk ka dilemma se Maqedonia është e orientuar nga perëndimi dhe prioriteti i tij strategjik janë integrimet euroatlantike.
“Të gjitha akuzat se ka ndonjë kthim kah Rusia janë të gjitha shpifje, sepse defakto dhe Rusia përveç pak më shumë në Republikën Serbe dhe Serbia është larg nga ky rajon dhe së paku deri tani nuk tregon ambicje të mëdha”, thotë Nikovski. /albeu