A po i fal Shqipëria 12 milje detare Greqisë, deputetët kanë “frikë” të përgjigjen (VIDEO)

Deklaratat e ministrit të jashtëm grek, Kotzias se Shqipëria ka pranuar përparimin e shtetit helen me 12 milje në kufirin detar, e ka gjetur të papërgatitur parlamentin shqiptar.

Komisioni me vëmendjen më të lartë për këtë temë, ai i politikës së jashtme, pranon se nuk ka informacion të saktë e të qartë për këtë çështje.

“Unë nuk kam asnjë informacion”, shprehet deputeti Ervin Bushati, teksa tenton ti shmanget gazetarëve.

Ndërsa nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi thotë se nuk ka informacion dhe po pret.

“Ministri Bushati dha informacion të detajuar, ndërkohë që nuk ka asnjë marrëveshje të shkruar ende”, thotë Evis Kushi.

“Është gjynah që marrim informacion nga pala greke dhe jo nga ne është shprehur deputeti i PD”, Klevis balliu.

Informacion të privilegjuar nuk ka as deputeti Andrea Marto që vjen nga komuniteti grek në Shqipëri.

“Nuk kam asnjë informacion, kam ato që tha ministri”, tha deputeti Andrea Marto, i cili akuzoi gazetarët se janë agresivë.

Mungesën e informacionit specifik e konfirmon dhe kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli.

“Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe i mbetemi këtij vendimi, i vetmi njeri që mund të përgjigjet për këtë është ministri Bushati, meqënëse ka një interes të madh publik lidhur me vazhdimësinë e bisedimeve. Ne do të jemi sërish këtu për ti rikërkuar ministrit një shpjegim”, thotë kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli.

Vetë Partia Socialiste kërkon durim dhe garanton se marrëveshja e re do të jenë në përputhje me Kushtetutën.

“Mos bini pre e këtyre dezinformimeve mediatike, duhet të ketë durim sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë shumë i qartë. E gjithë procedura do të jetë ligjore dhe në interes të Shqipërisë”, thotë Balla.

PD është e shqetësuar për transparencën, por nuk shprehet kundër në parim për këtë marrëveshje, e cila u nis nga Lulzim Basha në vitin 2009.

“Informacione nga ERT dhe nga ERTV, ato janë ballafaquar dhe janë krejtësisht të kundërta dhe kjo vlen të debatohet dhe nuk janë unë që do të jap opinionin për të gjithë partinë apo grupin parlamentar”, thotë deputeti i PD, Luçiano Boçi.

Në parlament në këto ditë të nxehta u pa edhe Bujar Muca, ish deputet i PDIU-së i cili u dorëhoq pak muaj më parë nga mandati.

“Nuk jam i informuar, kam qenë disa ditë jashtë dhe sapo erdha”, thotë Muça.

Mes deputetëve ka edhe nga ata që nuk e kursejnë sinqeritetin dhe as përpiqen të jenë diplomatë.

“Jemi të informuar aq sa jeni ju të informuar, po nuk jeni ju të informuar, çfarë të them unë”, shprehet Rakip Suli


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu