Policia do të ribrendohet, uniformat vetëm maqedonisht

Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar procesin e ri brendimit të policisë, duke hapur shpallje publike për furnizimin e uniformave të reja, të cilat duhet tërësisht t’i zëvendësojnë të deritanishmet. Sipas MPB-së, uniformat e reja do të jenë moderne, cilësore dhe funksionale, të përpunuara sipas modelit forcave policore evropiane. Një prej kushteve që duhet pasur parasysh për përgatitjen e uniformave, është se të njëjtat duhet të përgatiten me mbishkrim “Полиција„ në alfabetin cirilik dhe nuk është paraparë që të jenë edhe në gjuhën shqipe, edhe pse kjo është e garantuar në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Neni 8 i këtij ligji thotë:

“(3) Uniformat e policisë, të zjarrfikësve, të shëndetësisë; në Shkup dhe në komunat në të cilat së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase janë të shkruara në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% të qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe alfabetin e saj”.

Uniformat policore në dy gjuhë ishin paralajmëruar qysh para tre viteve. Atëkohë, ish ministri i brendshëm Oliver Spasovski, pati njoftuar se dekreti ishte miratuar nga qeveria dhe duhej të zbatohet nga marsi i vitit 2023.
“Do të fillojë të zbatohet më së voni në afat prej një viti nga dita e hyrjes në fuqi, respektivisht më së voni deri më 26 mars të vitit 2023. Kjo është periudhë kohore në të cilën duhet të fillohen të gjitha procedurat të jenë të përfunduara, e gjithë kjo me qëllim që të arrijmë efektin në atë moment”, tha Oliver Spasovski – Ish ministër i Brendshëm.

Që i bie se në çerekun e parë të vitit 2023 mund të kemi uniforma të policisë në dy gjuhë?

“Po, ne këto përgatitje jemi duke i bërë tashmë dhe deri në përfundimin e afatit kur duhet të jetë edhe zbatimi zyrtar do të mund të zbatohet në përputhje me zgjidhjet ligjore”.

Në Shkup dhe në komunat ku jetojnë së paku 20% shqiptarë, përpos në alfabetin cirilik, mbishkrimi duhet të jetë edhe në shqip varësisht për cilën uniformë bëhet fjalë dhe atë: policia, policia e trafikut, policia kufitare dhe policia intervenuese. /Alsat.mk


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu