Policia turke ka ndërhyrë mëngjesin e së mërkurës, më 14 tetor, në selinë e televizionit Halk TV në Stamboll, duke marrë kontrollin e ambienteve të medias pranë opozitës dhe duke ndërprerë transmetimin e drejtpërdrejtë të programit.
Lajmi u bë i ditur nga vetë televizioni përmes një deklarate të publikuar në platformën X, ku njoftohej se forcat e policisë ndodheshin brenda ndërtesës dhe se për drejtimin e stacionit ishte emëruar një komisioner.
“Policia është brenda ndërtesës së Halk TV. U emërua një komisioner për të marrë drejtimin e stacionit. Transmetimet e drejtpërdrejta janë ndërprerë”, thuhej në deklaratën e televizionit.
Sipas raportimeve të mediave turke, forcat e policisë hynë në ambientet e televizionit rreth orës 05:30 të mëngjesit, ku kryen kontrolle. Ndërkohë, rruga përpara ndërtesës u bllokua, ndërsa punonjësit e televizionit u penguan të hynin në ambientet e punës.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë disa prej punonjësve të Halk TV të mbledhur jashtë ndërtesës, në pritje të mundësisë për t’u futur brenda.
Në rrjetet sociale është shpërndarë gjithashtu një video që dokumenton momentin kur programi i televizionit u ndërpre papritur gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë.
Drejtori i përgjithshëm i lajmeve të Halk TV, Suat Toktaş, sipas raportimeve, u përpoq të siguronte vijimin e transmetimit duke kontaktuar drejtuesin e administratës së emëruar, por përpjekjet e tij nuk patën sukses.
Ndërhyrja ka shkaktuar reagime në Turqi, ku përfaqësues të opozitës e kanë dënuar veprimin, duke e cilësuar atë si një goditje ndaj lirisë së shtypit.
Halk TV konsiderohet një nga mediat televizive të afërta me opozitën turke dhe transmeton programe informative e debate politike.
Deri në publikimin e këtij lajmi, nuk janë bërë të ditura hollësi të plota mbi arsyet zyrtare të ndërhyrjes policore dhe emërimit të komisionerit.










