Politika gjarpëruese e Vuçiqit me vaksinat dhe “loja e tij” me Perëndimin, Moskën dhe Pekinin

“Viruset nuk dinë për kufijtë, por vaksinat dinë”. Kështu e fillon një tekst Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), mbi fërkimet midis Beogradit dhe Prishtinës për vaksinimin e serbëve të Kosovës.

Kur Presidenti Aleksandar Vuçiç njoftoi vaksinimin në veri të Kosovës dhe në hapësirat me serbë në fund të vitit, nga Prishtina thanë se do të ndalonin “kanalet e paligjshme” për futjen e vaksinës.

“Hetimi filloi në të vërtetë pasi vaksinimi i serbëve të Kosovës filloi në një shkallë më të vogël në dhjetor. Arsyeja e dhënë është se vaksina e përdorur nga Serbia nuk ka lejen e nevojshme nga shërbimet e Kosovës dhe se, përveç kësaj, ndërhyrja e Beogradit cenon sovranitetin shtetëror të Kosovës”, shkroi gazetari Michael Martens për gazetën e respektuar, shkruan Deutsche Welle në gjuhën serbe.

Pakënaqësia në Prishtinë, shton teksti, ka të bëjë me situatën e pabarabartë në të dy vendet – ndërsa rreth një milion njerëz janë vaksinuar në Serbi, në Kosovë nuk ka vaksina fare.

Serbia është në krye të Evropës kontinentale për sa i përket përqindjes të së vaksinuarve, veçanërisht sepse ka sasi më të mëdha të vaksinave kineze dhe ruse, shkruan gazeta.

“Por udhëheqja e Kosovës nuk dëshiron as vaksinat kineze dhe ruse si një dhuratë”, shtoi FAZ, duke cituar një deklaratë nga kryeministri i ardhshëm i mundshëm Albin Kurti, i cili tha se Kosova ishte “e orientuar drejt Perëndimit”.

Kjo nuk mund të zëvendësohet nga “disa forca jodemokratike lindore”, tha Kurti, duke shtuar se “nuk ka pasur siguri në lidhje me cilësinë” e vaksinës nga Rusia dhe Kina, duke përmendur edhe “lojërat gjeopolitike” që janë të lidhura me to.

Për shkak të këtyre paralajmërimeve nga Prishtina, Serbia ka transferuar vaksinimin për serbët e Kosovës në qytete në Serbinë jugore afër kufirit”, vazhdoi Martens.

“Mund të mos jetë në përputhje me mbrojtjen ndaj infeksionit për njerëzit që të shkojnë në një udhëtim shumë-orësh me autobus për hir të vaksinimit, por ata po përdorin ofertën – dhe padyshim edhe për shqiptarët e Kosovës gjithashtu”, thuhet ndër tjerash nga ai.

Dhe për fund, gazeta gjermane përfundon: “Duket se politika e Vuçiqit e gjarpërimit midis Perëndimit dhe Rusisë – ndërsa në të njëjtën kohë ‘duke qenë mirë me Pekinin’ – po shpaguhet”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu