Kreu i Partisë Popullore Demokratike dhe një nga liderët e Frontit Demokratik në Malin e Zi, Milan Knezheviç, ka vlerësuar se ministrja e mbrojtjes së Malit të Zi në takimin me ministrin e mbrojtjes së Kosovës Armend Mehaj vetëm sa shotën nuk e luajtën bashkë.
Knezheviç, që njihet për sulme ndaj qeverisë dhe zyrtarëve malazez lidhur me raportin me Kosovën, ka shkruar se “as vetë ish-presidenti i Kosovë Hashim Thaçi dhe as ish-kryeministri Ramush Haradinaj nuk e kanë pranuar Kosovën kaq shumë herë sa Qeveria e Malit të Zi”.
Komenti i tij pasoi pas njoftimit të takimit nga ministrja e mbrojtjes së Malit të Zi, Olivera Injac, me ministrin e mbrojtjes së Kosovës Armend Mehaj, ku ajo shkruante se duhet forcuar bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes Kosovës edhe Malit të Zi.
“Të gjithë ju që frikësoheni se Milo Gjukanoviç nuk kthehet, pyesni a vërtetë ka shkuar? Ministrja Injac vetëm edhe shotën që nuk e luajti me Armend Mehaj. Kaq shumë herë as Thaçi as Haradinaj nuk e kanë pranuar Kosovën sa Qeveria e Malit të Zi”, ka shkruar Knezheviç në Twitter.









