Sërish kërkohet paraburgim për kryetarin e komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski, për rastin “TNT”, që ka të bëjë me prishjen e kompleksit “Cosmos”.
Prokurori i Prokurorisë Publike Speciale, Gavrill Bubevski, kërkesën për paraburgimin e Trajkovskit para Apelit e argumentoi me sjelljen e Trajkovskit, i cili ka injoruar ftesat e PPS-së për marrje në pyetje dhe me faktin që ai udhëton shpesh dhe se i kërcënohet një dënim i lartë, mund të largohet nga vendi.
Por, Trajkovski nuk pajtohet me konstatimin e prokurorit dhe kërkon t’i kthehet pasaporta, ndërsa mosparaqitjen e deritanishme në PPS e arsyetoi me faktin se Specialja nuk ia ka dorëzuar mbrojtjes të gjitha argumentet që i posedon.
“Që të mund të jepet një deklaratë cilësore, ne në çdo moment kërkonim Prokuroria të na dorëzojë të gjitha argumentet. Fatkeqësisht deri më sot ene nuk i kemi të gjitha dëshmitë që i ka Prokuroria”,– theksoi kryetari i komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski.
Prokurori i Speciales, Bubevski, rreth moszbatimit të masës paraburgim për ish-shefin e Drejtorisë së Pestë të MPB-së, Goran Grujevskit, ish-shefin e Kabinetit të Sasho Mijallkovit, Toni Jakimovski, dhe Nikolla Boshkovskin, tha se me caktimin e kësaj mase nga ana e gjykatës kjo duhet të zbatohet menjëherë.
“Pres që të konfirmohen, argumentet janë në anën e vendimit me të cilin është shqiptuar masa paraburgim. Shtyrjen e zbatimit të vendimit Gjykata e ndërlidh me atë vendim famëkeq të Gjykatës Supreme, me të cilin e shfuqizoi vendimin e Shkallës së parë dhe të dytë për lëndën e njohur si “Trust”. Në botë nuk ekziston shtyrje të vendimit me të cilin është shqiptuar masa e paraburgimit”,- tha Gavrill Bubevski nga PPS.
Deri në këto momente mbrojtja nuk është ankuar deri te Gjykata Supreme, ata kanë 24 orë afat për ankesë nga momenti i marrjes së vendimit nga Gjykata e Apelit.
Këshilli Penal i Gjykatës Supreme, i cili duhet të vendos për paraburgimin e të dyshuarve në rastet e PPs-së, është i njëjti këshill 5 anëtarësh që në maj liroi biznesmenin, Sead Koçan.
Në të marrin pjesë kryetari i Supremes, Jovo Vangellovski, gjykatësit, Riste Katevenovski, Faik Arsllani, Xhemali Saiti dhe Rahillka Stojkovska.










