Presidenti Gjorgji Ivanov vazhdon të heshtë ndaj letrës së kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, në të cilën ai e ka njoftuar për formimin e shumicës së re parlamentare dhe kërkon që të ndajë mandatin për formimin e Qeverisë së re. Nga kabineti i Ivanovit nuk ka asnjë njoftim nëse do t’ia japë Zoran Zaevit mandatin për formimin e Qeverisë së re. Përgjigja e fundit nga rezidenca e tij në Vodno, ishte se presidenti Ivanov ka pranuar letrën e Xhaferit dhe do të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet. Ndërkohë as nga gazeta zyrtare nuk ka asnjë lajm për fatin e vendimit për zgjedhjen e kreut të ri të Kuvendit, që pritej të publikohet sot në numrin e parë të kësaj jave. Nga ky institucion na thanë që për këtë temë t’i drejtohemi në formë të shkruar drejtorit, prej ku pritet që të marrim edhe përgjigje.
Nga ana tjetër LSDM i ka bërë thirrje kreut të ndërmarrjes “Gazeta zyrtare” që të ndalojë së shërbyeri partisë VMRO-DPMNE dhe të kryejë detyrën në përputhje me ligjet. Këto apele i bëri deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski, në një konferencë për shtyp ku paralajmëroi se Qeveria e re do të bëjë reforma në polici dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme do ta vendosin në shërbim të qytetarëve dhe jo të partive.
“Bashkë me profesionistët do ti bëjmë reformat e nevojshme me të cilat do të mundësojmë polici që do ti mbrojë vetëm qytetarët dhe jo interesat e dikujt personale, partiake ose çfarëdoqofshin. Askush më nuk do të guxojë ta keqpërdor policinë nga shtabet partiake dhe në të nuk do të ketë vend për kriminel. Do të sigurojmë polici që në mënyrë joselektive do ta luftojë krimin dhe korrupsionin përmes zbatimit të paanshëm të ligjit për të gjithë. Qeveria e re do të qëndrojë fuqishëm pas dinjitetit personal dhe profesional të të gjithë pjesëtarëve të policisë dhe shërbimeve të sigurisë”, ka thënë Oliver Spasovski, LSDM.
Përndryshe, prej sot ka filluar të rrjedhë edhe afati prej 10 ditëve deri kur Ivanov duhet t’i japë mandatin kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev. Ai në paraqitjen e tij të fundit kishte kërkuar përsëri garanca si nga liderët partiak ashtu edhe ndërkombëtarët që nuk do të preket sistemi unitar dhe Kushtetuta e vendit./shenja