Siç kumtoi Kabineti i Ivanovit, në orën 13.00 duhet të fillojë takimi me përfaqësuesit e “Aleancës për shqiptarët”, në orën 14:30 me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, në orën 16:00 me kryetarin e LSDM-së Zoran Zaev dhe në orën 17:30 me kryetarin e VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski.
Në konsultimet e presidentit Ivanov, siç informojnë nga kabineti i tij, janë ftuar edhe përfaqësues të PDSH-së.
Konsultimet e presidentit të Republikës së Maqedonisë me partitë politike parlamentare pasojnë pas takimit me Ivanovin me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Nikolla Ivanovski dhe takimit me euroambasadorin Zhbogar.
Ivanov në takimin e djeshëm me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese ka theksuar se deri tani ka vepruar vetëm në suaza të të drejtave, detyrave dhe kompetencave të veta, duke e respektuar Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Presidenti Ivanov ka theksuar se lidhur me gjendjen aktuale do të veprojë në pajtim me dispozitat kushtetuese dhe do të veprojë vetëm në interes të shtetit dhe të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.
Presidenti i Maqedonisë të hënën pati takim me Samuel Zhbogar, shef i delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë, ku ishte biseduar për situatën politike aktuale në vend dhe për qëndrimin e BE-së lidhur me këtë çështje.