Presidenti kroat ja tregon vendin Vuçiqit: Ai nuk mund të vijë në Kroaci

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq nuk mund të vijë në Kroaci në rrethanat aktuale, ka paralajmëruar Presidenti kroat Zoran Milanoviq, duke çuar në anulimin e samitit të Procesit Bërdo-Brioni që ishte planifikuar për në maj, përcjell INA.

Në një deklaratë për media, zyra e Milanoviqit theksoi se zhvillimet e fundit politike kanë bërë të pamundur realizimin e vizitës dhe mbajtjen e takimit rajonal.

“Deklaratat dhe veprimet politike të Presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilat i kemi parë në ditët dhe javët e fundit, janë në kundërshtim të plotë me qëllimin e Procesit ‘Bërdo-Brioni’, duke prishur marrëdhëniet ndërshtetërore dhe duke kërcënuar paqen dhe stabilitetin në zonën e Evropës Juglindore. Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq, beson se në rrethana të tilla nuk ka kushte dhe nuk është e mundur që Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të vijë në Republikën e Kroacisë”, thuhet në njoftim.

Sipas autoriteteve kroate, krerët e shteteve pjesëmarrëse janë informuar për vendimin, ndërsa një datë e re për samitin do të caktohet pasi të plotësohen kushtet, në konsultim me Presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, si bashkëkryetare e procesit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu