Presidenti malazez kërkon shkarkimin e Nik Gjeloshajt, Agron Gjekmarkaj: Sulm me retorikë kërcënuese

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, ka kërkuar shkarkimin e zëvendëskryeministrit shqiptar, Nik Gjeloshaj, duke shkaktuar reagime të forta politike.

Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Agron Gjekmarkaj, e cilësoi këtë veprim si kërcënues dhe të dëmshëm për përpjekjet e përbashkëta për një shoqëri europiane.

Ai kërkoi nga autoritetet shqiptare të reagojnë diplomatikisht dhe të mbështesin komunitetin shqiptar në Mal të Zi.

Gjithashtu, Gjekmarkaj theksoi se respekti për përfaqësimin e drejtë është kyç për stabilitetin dhe integrimin rajonal.

Deklarata e plotë e Gjekmarkajt:

Shqiptarët në Mal të Zi, malsorët dhe qytetarët e Tuzit, kanë qenë dhe mbeten një faktor thelbësor në proceset demokratizuese dhe integruese të Malit të Zi.

Ata kanë kontribuar me përgjegjësi dhe vizion në forcimin e bashkëjetesës ndëretnike, në stabilitetin institucional dhe në orientimin perëndimor të vendit.

Pikërisht për këtë arsye, çdo sulm me retorikë kërcënuese ndaj një përfaqësuesi autentik e autokton si z. Nik Gjeloshaj, personalitet perfaqesues me integritet, Zëvendëskryeministër i Malit të Zi, dhe aq më tepër kur vjen nga vetë Presidenti i Republikës, z. Jakov Milatović, është jo vetëm preokupues , por përbën një cenim të drejtpërdrejtë të përfaqësimit të shqiptarëve dhe të përpjekjeve të përbashkëta shqiptaro-malazeze për një shoqëri demokratike, gjithëpërfshirëse dhe europiane.

Në këtë kontekst, ftoj Qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe Ministrinë për Evropë dhe Punë të Jashtme të ndjekin nga afër këtë ngjarje, të kërkojnë sqarimet e nevojshme nga autoritetet malazeze dhe të mbështesin pa komplekse komunitetin shqiptar në Mal të Zi, në funksion të respektimit të standardeve demokratike dhe të përfaqësimit të drejtë dhe dinjitoz.

Nuk mund të ketë stabilitet afatgjatë dhe integrim europian në rajonin tonë pa barazi reale mes qytetarëve dhe pa respekt institucional për të gjithë komponentët kombëtarë të shteteve tona.

Shpreh mbështetjen time të palëkundur për z. Gjeloshaj dhe për të gjithë qytetarët shqiptarë në Mal të Zi. Është detyrë e çdo shteti serioz, përfshirë Shqipërinë, të mbrojë interesin kombëtar me dinjitet dhe me përgjegjësi, jo përmes retorikës, por përmes qëndrimeve të qarta dhe veprimit diplomatik.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu