Presidenti Stevo Pendarovski sot i pranoi letrat kredenciale të Adela Monika Aksinte, ambasadores së sapoemëruar të jashtëzakonshme dhe të autorizuar të Rumanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Duke i dëshiruar mirëseardhje ambasadores Monika Aksinte, presidenti Pendarovski në ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale i theksoi marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve, të cilat karakterizohen nga dialog i hapur dhe përpjekje të ndërsjella për t’i pasuruar ato në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
“Do të doja të theksoja bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave si vende aleate brenda NATO-s, por edhe mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme dhe parimore nga Rumania në fushën e integrimit evropian të vendit tim. Në atë kuptim, unë pres që Maqedonia e Veriut përfundimisht dhe zyrtarisht të fillojë negociatat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian duke mbajtur Konferencën e parë Ndërqeveritare “, tha presidenti Pendarovski, duke theksuar se në periudhën e ardhshme ne llogarisim në mbështetjen e qartë dhe të padyshimtë nga Rumania, si mik, aleat dhe partner strategjik i rajonit tonë, por edhe promovues dhe lobist i Maqedonisë së Veriut në këtë proces, tha Pendarovski.
Në fjalimin e saj, ambasadorja Monika Aksinte theksoi se mbështetja e Rumanisë për procesin e zgjerimit të BE-së është e fortë dhe këmbëngulëse, përfshirë edhe gjatë presidencës së tyre në Këshillin e BE. Duke shprehur keqardhje që konsensusi i pritur për miratimin e kornizës negociuese nuk është arritur ende, ambasadorja rumune theksoi se vendi vazhdon të mbështesë përpjekjet e përbashkëta për të identifikuar konsensusin e nevojshëm për të përshpejtuar procesin.
“Nga ky këndvështrim, Rumania përshëndet riafirmimin e angazhimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për përparim në rrugën evropiane të vendit si dhe vendosmërinë për të zbatuar reformat e nevojshme sepse nuk ka asnjë alternativë tjetër për integrimin evropian. Plotësisht llogarisni në mbështetjen e Rumanisë në këtë përpjekje”, tha ambasadorja Monika Aksinte.
Duke dëshiruar sukses në ushtrimin e funksionit me përgjegjësi, presidenti Pendarovski theksoi se ambasadorja Monika Aksinte do të ketë mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë të plotë.









