Prokuroria kërkoi 45 vite burg për Hashim Thaçin, djali i tij ka një thirrje publike

Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ka bërë thirrje publike për pjesëmarrje në marshin e paralajmëruar më 17 shkurt në Prishtinë, në kohën kur në Hagë ka nisur faza përfundimtare e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Thaçi ka shpërndarë posterin e marshit me mbishkrimin “Drejtësi, jo politikë”, duke ftuar qytetarët që të mblidhen në Sheshin “Skënderbeu”, në ora 14:00. Në poster shfaqet gjithashtu slogani “Liria ka emër” dhe simboli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thirrja vjen pas kërkesës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë, e cila ka kërkuar dënime prej 45 vjetësh burg për secilin nga ish-udhëheqësit e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Marshi pritet të mbahet në Ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe synon të kërkojë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, si dhe të kundërshtojë, sipas organizatorëve, politizimin e procesit gjyqësor ndaj tyre.

Tubimi organizohet nga platforma “Liria ka Emër”, e cila një ditë më parë, gjatë një konference për media, u bëri thirrje kryetarëve të komunave dhe qytetarëve të Kosovës që t’i bashkohen marshit, para dhënies së fjalës përfundimtare në Hagë, për të dëshmuar, siç u tha, për historinë e Kosovës dhe sakrificën e ish-krerëve të UÇK-së.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu