Kryeministri Hristijan Mickoski ka kërkuar nga ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, që të jepet një përgjigje e ashpër për çdo cenim të rendit dhe sigurisë, në mënyrë që të mos përsëritet, siç tha ai, dhunimi i së djeshmes, kur qytetarë të komunitetit rom protestuan me djegie gome, bllokime rrugësh dhe kërcënime për shkak të konfiskimit të automjeteve, përcjell INA.
“Sot mëngjes kam biseduar me ministrin e Brendshëm dhe ajo që i kam kërkuar për çdo person që ka shkelur ligjin, ka kërcënuar, ka dhënë kërcënime publike dhe ka rrezikuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve, është që të jepet një përgjigje e ashpër. Dhe do të jepet një përgjigje e ashpër, në mënyrë që të mos përsëritet dhunimi i së djeshmes”, tha kryeministri Mickoski duke iu përgjigjur një pyetjeje nga gazetarët.
Grupet e qytetarëve nga komuniteti rom dje dhe mbrëmë protestuan duke bllokuar rrugët duke djegur goma, mbeturina dhe dru. Ata bllokuan disa rrugë në vend, duke kërcënuar se do të ketë përleshje dhe vrasje, pasi policia u konfiskonte automjetet për shkak se vozisnin pa patent shoferi.
Banorët e disa lagjeve rome akuzuan për diskriminim, duke thënë se shumë prej tyre nuk kanë përfunduar arsimin dhe për këtë arsye nuk kanë mundësi të marrin leje drejtimi.
AMSM nëpërmjet një njoftimi bëri të ditur se nga ora 11:30 do të zhvillohet një tubim publik i rreth 150 personave nga komuniteti rom për shkak të ndryshimeve në Ligjin për sigurinë e trafikut rrugor, pranë kryqëzimit për fshatin Oreovec në kalimin malor Pletvar, në rrugën kryesore A1 Prilep – Gradsko. Trafiku rrugor është i ndërprerë në të dy drejtimet. Në vendngjarje janë vendosur automjete, goma dhe objekte të tjera.(INA)








