Provimin e parë të maturës shtetërore sot e mbajtën mbi 15 mijë nxënës në nivel shtetëror. Në shkollën e mesme “Cvetan Dimov” mbi 250 nxënës ju nënshtruan provimit të parë në gjuhën amtare. Sekretari i shkollës, tha se provimi i parë është realizuar sipas rregullave.
“Gjithsej në shkollën tonë Cvetan Dimov këtë vit kemi mbi 250 kandidatë të rregullt dhe të çrregullt të cilët do të marrin pjesë në maturën shtetërore në gjuhën shqipe, dhe me 11 qershor në gjuhën angleze….Sa i përket kohës, jo. Provimi ka filluar në kohë në orën 10, të gjithë nxënësit paraprakisht kanë qenë të përgatitur me pyetje dhe materiale konform materialit të cilin e kanë për shkollimin e mesëm”, deklaroi Vullnet Rexhepi sekretar në shkollën e mesme Cvetan Dimov.
Pas provimit nxënësit shpreheshin se krahas vështirësive kanë arritur që testin ta përmbushin me sukses, ndërsa thonë se të gjitha pyetjet kanë qenë nga materiali i katër viteve të kaluara.
“Vështirësi kemi pas, por kemi qenë të përgatitur prej anës së profesorëve kemi mbajt orë plotësuese në shkollë për provimin shtetëror, kemi me pritë edhe me datën 11 qershor për provimin e dytë anglisht”, tha një nxënëse.
“Normal ishte pak me stres por e kaluam mirë dhe gjithashtu materialet që i kishim ishte i njohur për neve dhe kishim pak stres normal por e kaluam me sukses”, u shpreh një nxënëse.
“Provimin e kalova shumë mirë, ishte si një sfidë mirëpo e kaluam me sukses dhe stresi që ishte tek ne ndikoi jo aq mirë por kemi pasur disa rezultate të mirë dhe kemi mundur ta menaxhojmë kohën dhe të ju përgjigjemi pyetjeve. Për materialin kemi qenë të njohur prej viteve të tjera”
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës tha se pret rezultate të mira nga provimi i parë, ndërsa theksoi se këtë vit rregullativat janë më të rrepta ndërsa drejtuesit e shkollave, testuesit dhe vëzhguesit nuk do të lejojnë skenarët e viteve e kaluara, kur nxënësit kopjonin, kishin përgjigje dhe ese identike.
“Këtë vit pres që gjithçka të kalojë mirë, me shumë pak veprime të padëshiruara si përshkrimi që ka ndodhur në të kaluarën… Ky është material që ata e kanë kaluar dhe vetëm është dashur ta përsërisin. Prej tyre pres që të mos përdorin asnjë metodë inovative për të marrë përgjigjet e sakta, pasi rrezikojnë që ta humbasin komplet vitin”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Prej 15 mijë nxënësve të regjistruar për provimet shtetërore, mbi 8 mijë nxënës janë nga shkollat e mesme profesionale, rreth 6 mijë nga gjimnazet dhe mbi 200 nga shkollat artistike. Për provimin e parë ekstern të sotëm, janë regjistruar 9969 nxënës për gjuhën maqedonase, 4339 për gjuhën shqipe, 292 për gjuhën turke dhe 10 nxënës për gjuhën serbe. Provimi i dytë ekstern i maturës shtetërore, i cili është zgjedhor, do të zhvillohet më 11 qershor.
Për të mbikëqyrur procesin e provimit, Qendra Shtetërore e Provimeve edhe këtë vit ka angazhuar rreth 2.000 testues. /Alsat.mk