Pse konflikti shekullor mbi Nagorno-Karabakun s’ka gjasa të zgjidhet së shpejti

Konflikti rreth rajonit të Nagorno-Karabakut, një enklavë që aktualisht është e banuar kryesisht nga armenët, dhe e vendosur brenda kufijve të Azerbajxhanit, po vlon prej rreth një shekulli. Në vitet 1990, armenët besuan se kishin korrur një fitore ushtarake ndaj Azerbajxhanit, kur pushtuan rajonin e diskutueshëm dhe shumë zona përreth Azerbajxhanit.

Në fund të muajit shtator të këtij viti, Azerbajxhani donte t’i tregonte Armenisë se e kishte gabim. Ai nisi një ofensivë të re ushtarake, e cila deri tani ka arritur të rimarrë kontrollin e shumë prej këtyre territoreve,duke u dhënë mijëra azerëve të zhvendosur, shpresën e rikthimit në tokat që ata ende i konsiderojnë si shtëpinë e tyre.

Presidenti rus Vladimir Putin, ka pohuar se deri tni kanë vdekur afro 5.000 njerëz. Konflikti në Nagorno-Karabak, mbetet një nga mosmarrëveshjet më tragjike dhe të vazhdueshme në Evropë. Ajo mbetet një nga punët e fundit tëpapërfunduaraqë nga fundi i Luftës së Parë Botërore.

Pazgjidhshmëria e këtij konflikti buron nga dy faktorë:një dilemë shekullore e sigurisë, në të cilën secila palë është përpjekur të arrijë një ndjenjë sigurie dhe kontrolli në kurriz të palës tjetër, duke minuar kështu sigurinë e të dyjave; një defiçit demokratik, mungesë totale të besimit shoqëror dhe dialogut real, që e bën thuajse të pamundur kompromisin midis dy palëve.

Të huajt e fundit që ndërhynë për“zgjidhjen” e konfliktit në Karabak ishin bolshevikët rusë. Pikërisht 100 vjet më parë, në vitin 1920, Ushtria e 11-të e bolshevikëve, i dëboi forcat turke nga Kaukazi, shkatërroi 2 republikat e sapo pavarura të Armenisë dhe Azerbajxhanit, dhe aneksoi rajonin e diskutueshëm malor.

Në Karabak banonin kryesisht armenë, por aty ndodhej dhe një qytet azer, Shusha. As armenët dhe as azerët nuk kishin mundësi të jetonin pa Karabakun, një rajon me një domethënie të madhe për secilin komb. Të lënë të merren vetë me këtë çështje, të dy palët do të përdorin spastrimin etnik për ta mbajtur atë.

Në korrikune vitit 1921, “Byroja e Kaukazit” e bolshevikëve, nën udhëheqjen e Josif Stalinit, vendosi që rajoni i Nagorno-Karabakut do të ishte pjesë e Azerbajxhanit sovjetik. Enklava do të kishte një autonomi relative, dhe një popullsi kryesisht armene.

Historianët e kanë debatuar vazhdimisht vendimin e Stalinit. Disa pretendojnë se ishte një përpjekje e qëllimshme për të “përçarë dhe sunduar”. Të tjerët, përfshirë historianin Arsen Saparov, argumentojnë se sovjetikët ishin më pragmatikë:ata mund të kenë besuar se brenda një brezi si armenët dhe azerbajxhanasit, do të hidhnin poshtë identitetet e tyre kombëtare dhe do të bëheshin socialistë të mirë.

Nën sundimin sovjetik, marrëveshja kryesisht funksionoi, dhe të dyja komunitetet jetuan përgjithësisht të qetë krah për krah njëri-tjetrit për gjashtë dekada e gjysmë. Gjithsesi tensionet vazhduan, sidomos midis intelektualëve, të cilët mbajtën ndezur flakët e nacionalizmit, dukeushqyer aspiratat kombëtare që mund të përmbusheshin vetëm në kurriz të tjetrit.

Gjatë gjithë epokës sovjetike, udhëheqësit armenë në Nagorno-Karabak, ankoheshin në Moskë se Azerbajxhani i shtypte të drejtat e tyre arsimore dhe kulturore. Në fund të viteve 1980, Gorbaçov vendosi të linte Nagorno-Karabakun brenda Azerbajxhanit, por t’ia besonte administratën e tij një komiteti të posaçëm nga Moska.

Ai vendimi nuk kënaqi asnjërën palë. Pati akte dhune midis armenëve dhe azerëve.

Kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë në fund të vitit 1991, të dyja palët morën pozicione diametralisht të kundërta. Armenët e shpallën Nagorno-Karabakun një shtet të pavarur, ndërsa parlamenti azer në Baku, ia hoqi zyrtarisht autonominë këtij territori.

Gradualisht 2 vendet rrëshqitën në një luftë të egër. Një Rusi e dobët dhe dyshuese, u përpoq zyrtarisht për paqe, ndërsa nga ana tjetër siguronte ndihmë ushtarake për të dyja.

Në vitin 1994, pas shumë gjakderdhjesh, armenët dominuan, duke marrë nën kontroll jo vetëm vetë Karabakun, por edhe 7 territoret azere përreth, duke zhvendosur gjysmë milioni azerë nga shtëpitë e tyre.

Luftimet u ndalën, por lufta retorike dhe jo politike vazhdoi. Me kalimin e viteve, shumë armenë filluan t’i referoheshin si “territore të çliruara” rajoneve azere ngjitur me Nagorno-Karabakun që kishin pushtuar midis viteve 1992-1994.

Qyteteve dhe fshatrave që u boshatisën iu vendosën emra armenë, dhe u ripopulluan nga mijëra kolonë armenë. Në vitin 2017, autoritetet e Nagorno-Karabak e riemërtuan enklavën “Republika e Արցախit”, duke përdorur një emër mesjetar armen, që i mohon pakicës azere çdo pretendim të përkatësisë në rajon.

Në kundërpërgjigje, zyrtarët azerbajxhanas vazhduan të përdorin emra azerë, si për shembull Khankendi për kryeqytetin e Nago-Karabakut, Stepanakert. Mesazhi ishte që Bakuja dëshironte që këto qytete të riktheheshin në zotërimin e tyre, por jo armenët që jetojnë në to.

Në vitin 2006, negociatorët francezë, rusë dhe amerikanë, hartuan një plan për zgjidhjen e kësaj krizë, duke synuar të rivendosin të drejtat për të dy popujt në rajon. Por dokumenti i tyre i Parimeve Themelore, nuk u morr kurrë seriozisht nga Jerevani apo Bakuja.

Në studimin e tij mbi luftën midis Perandorisë Ruse dhe asaj Osmane në Luftën e Parë Botërore, historiani Majkëll Rejnolds arri në këtë përfundimin:”Kërkimi i sigurisë absolute është rruga drejt shkatërrimit. Siguria nuk mund të jetë më shumë absolute, sesa e ardhmja që mund të dihet. . . . Kërcënimi i mundshëm, është nga natyra e tij i gjithë-pranishëm dhe i pamundur të zhduket”.

Konflikti mbi Nagorno-Karabakun, me përshkallëzimet e tij të vjetra dhe të reja, ofron një mësim të qartë mbi pamundësinë e arritjes së një fitoreje përfundimtare. Një viktimë shndërrohet shpejt në fajtor dhe dhe anasjelltas. Në luftimet aktuale, lavjerrësi është zhvendosur fuqimisht në favor të Azerbajxhanit në fushën e betejës.

Publiku azer është tubuar pas udhëheqësve të tij, ndërsa forcat e armatosura azere po shënojnë suksese ushtarake dhe rikuperojnë territorin e humbur. Viktimat e shumta deri më tani nuk e kanë zbehur entuziazmin për ofensivën. Por ata duhet të mos harrojnë përvojën e tyre të hidhur të vitit 1994, kur ishin armenët ata që besuan se kishin arritur “sigurinë absolute”.

Ky konflikti vjen në një moment veçanërisht të keq ndërkombëtar. Shtetet e Bashkuara janë shkëputur nga rajoni. Rusia po adopton një qasje të ekuilibrimit:nëse mbështet haptazi aleatin e saj ushtarak, Armeninë, do të humbasë menjëherë partnerin tjetër sidomos në fushën ekonomike, Azerbajxhanin.

Turqia, një lojtare që nuk kishte ndërhyrë në rajon saktësisht në100 vjet, ka rihyrë në skenë. Ndihma e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan ndaj Bakusë, mund të jetë nxitur më shumë nga politika e brendshme dhe solidariteti me një komb turk, sesa një interes i mirëfilltë strategjik në Kaukaz.

Por furnizimi i Azerbajxhanit me dronë ushtarakë vdekjeprurës, ka qenë deri tani faktori vendimtar në luftë. Diplomacia shumëpalëshe në aktorë që nuk janë shumë pranë me rjaonin nuk ka dhënë shumë fryte.

Në vitin 1992, OSBE themeloi Grupin e Minskut – i përbërë nga Bjellorusia, Franca, Rusia, Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe disa kombe të Evropës Perëndimore, së bashku me Armeninë dhe Azerbajxhanin – për të zgjidhur konfliktin. Por procesi arriti shumë pak. Ndërkohë, një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Rusia dhe Turqia, ka shumë të ngjarë të dëmtojë armenët duke e zmadhuar ndikimin turk në rajon, por edhe Azerbajxhani mund të humbasë. Një pakt i këtij lloji, mund të lejojë vendosjen në zonë të paqeruajtësve rusë, diçka që Azerbajxhani e ka kundërshtuar vazhdimisht.

Të vetmet vende që mund të parandalojnë një luftë pa fund, janë vetë Armenia dhe Azerbajxhani. Por kjo do të kërkonte që ato të arrijnë në përfundimin se zgjidhja e konfliktit, është më shumë në interesin e tyre të përbashkët, sesa këmbëngulja tek forca ushtarake, apo lejimi që këtë krizë ta zgjidhin të tjerët për ta.

Egërsia e luftimeve aktuale, tregon se një vendim i tillë nuk është i afërt. Edhe nëse ky raund i ri luftimesh do të përfundojë në favor të Azerbajxhanit, armenët nuk do të dorëzohen. Mosmarrëveshja mbi Nagorno-Karabakun, ka të ngjarë të mbetet e pazgjidhur edhe për brezin tjetër që do të vijë.

Nga Thomas de Waal, Foreign Affairs


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu