Pse po kontestohen arritjet e Ibrahim Rugovës. A ishte ai në të vërtetë arkitekt i pavarësisë së Kosovës?

Ish Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, edhe 11 vjet pas vdekjes vazhdon të kujtohet si një ndër figurat më të rëndësishme në procesin e pavarësimit të Kosovës.

Megjithëkëtë, kontributi i tij po vazhdon të kontestohet nga krahu i luftës, apo nga ata të cilët nuk e përkrahën rezistencën paqësore. Gazeta Infopress, ka pyetur dy bashkëkohanik të Ibrahim Rugovës, se për cka mbahet mend ai dhe për çfarë do të mund të mbahej mend?

Natyrisht, përgjigjet janë të kundërta njëra me tjetrën.

Skënder Zogaj, publicist dhe një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Rugovës, u shpreh për Infopress se në historinë e re të shqiptarëve të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi, Ibrahim Rugova është figura më e rëndësishme historike dhe kyçe e mposhtjes së diktaturës komuniste dhe hapjes së epokës së demokracisë, që shqiptarët e rikthejnë të parët në Ballkan e më gjerë.

“Në këtë kthesë historike, Ibrahim Rugova është ideatori i parë vizionar, arkitekti dhe organizatori i mposhtjes së pushtuesit sllavo-serb, e njëkohësisht është projektuesi i lirisë dhe i pavarësisë shtetërore të Kosovës, që pa dyshim është fitorja me e madhe në historinë shqiptare, sepse, shkëputja e Kosovës nga aneksimi dhe shpallja shtet i pavarur, është e barazueshme, me rëndësinë e pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Ibrahim Rugova do të mbahet mend si ikona e historisë se re shqiptare të Kosovës, sepse Rugova fill i vetëm me forcën e mendjes dhe të Fjalës si armë të vetme, i fitoi të gjitha betejat, i mposhti të gjithë armiqtë, e arriti atë që e kishte synuar: Kosovën e lirë dhe të pavarur”, tha Zogaj.

Ai theksoi se, Ibrahim Rugova do të mbahet mend si frymëzuesi shpirtëror i mposhtjes së frikës dhe i nxitjes për ta thënë dhe mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën. “Ibrahim Rugova do të mbahet mend si, udhëheqësi që kurrë nuk i shau, nuk i ofendoi, nuk i përbuzi kundërshtarët, dhe me mirësjellje dhe mençuri, i bëri që t’i binden urtësisë së tij dhe ta kuptojnë vlerën e tij të pazëvendësueshme.

“Ibrahim Rugova do të mbahet mend edhe si personalitet i pazëvendësueshëm, sepse, kur ishte gjallë kosovarët nuk e vrisnim mendjen për asgjë, ishim të mbrojtur dhe të fituar, ishim nën mburojën e sigurtë. E tash pa Ibrahim Rugovën, po na hanë vetvetja, po ndryshkemi, po rrudhemi, po shpërbehemi padiktueshëm”, tha ai.

Nga ana tjetër, një nga themeluesit e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, Ibrahim Kelmendi, thotë se nuk e di ndonjë të mirë që duhet ti ketë sjellë vendit Ibrahim Rugova.

“Në aspektin intelektual profesional nuk më ka rastis të lexoj ndonjë shkrim e studim të kujtdo qoftë, që përmban citim të ndonjë mendimi të Ibrahim Rugovës. Kam lexuar ndoshta vetëm një kumtesë të tij “shkencore” të tij, mbajtur në një simpozium që e ka pas organizuar Akademia e Shkencave me tematikë: “Tito për Kosovën – Kosova për Titon” (1977). Titullohet: “Tito në letërsinë shqipe në Jugosllavi”. Në atë kumtese ai ka madhëruar Titon si personalitet që ka bërë shumë për shqiptarët”, thotë Kelmendi.

Më tej, Kelmendi shtoi se në aspektin arkitektural Ibrahaim Rugova do të duhej të mbahej mend se vilën në Prishtinë e ka ngrit në pallat, pa leje, duke u bërë shembull si duhet të masakrohet urbanizmi i kryeqytetit.

“Në fakt, ende nuk dihet me çfarë të hollash ishte blerë ajo vilë, e cila qe prezantuar si “presidencë”. Nuk dihet as për prejardhje të të hollave për ta bërë vilën pallat. Nuk dihet as kush vendosi që për atë pallate të paguante buxheti 10 mijë USD qira, pse “presidenti” Rugova banonte në pallatin e tij. Tashme ai pallat është “vlerë” që i mrekullon vizitorët”, pohoi Kelmendi.

Ai tutje shton se nuk e di se për çfarë e mbajnë ose duhet ta mbajnë mend te tjerët Ibrahim Rugovën.

“Ibrahim Rugovën unë e mbaj mend si një marionetë, e përzgjedhur nga Beogradi përmes Jusuf Buxhovit, që ta udhehiqte një “lidhje” që përfshinte pothuajse gjithë shqiptarët në Kosovë. Ajo duhej ta koordinonte revoltën aktive të viteve të 90-ta të shekullit pararendës, që të shuhej “paqësisht”. Për ta realizuar me sukses atë skenar, Beogradit dhe serbofilët e gjithë botës u angazhuan ta afirmonin Ibrahim Rugoven për udhëheqës paqësor të shqiptarëve të Kosoves. Fatmirësisht ai skenar i Beograd rezultoi i dështuar, meqë një minoritet i “krisur” e pengoi të mos realizohej. Tashmë Ibrahim Rugova mbahet mend, çdo herë e më pak, si profet ose si marionetë, varësisht nga ndërgjegjja e atyre që u bie ndërmen ta kujtojnë. Si vlerë e mbaj mend vdekjen e tij, marrëzinë kolektive për tu plevitos mijëra rugovistë viktima në kortezh të gjatë mortor, si dhe cirkusiadën “presidenciale” të varrimit të tij. Ajo ndikoj shumë për faktorizimin e Kosovës, siç pat ndikuar edhe “rezistenca pacifiste” e tij, gjatë viteve 1990-99”, përfundoi Kelmendi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu