Pse Putin ka punuar fshehurazi nga një “zyrë identike” në Soçi?

Mediat ruse pretendojnë se Kremlini ka ndërtuar një zyrë për presidentin rus, Vladimir Putin, në Soçi, e cila është identike me zyrën e tij jashtë Moksës dhe se ai shpesh dhe fshehurazi ka punuar prej andej në muajt e fundit. Megjithatë, nuk ka ende konfirmim të pavarur të raportit në ueb-faqen “Proyekt Media“, e cila tha se zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, ka refuzuar të përgjigjet për këtë çështje.

Një tjetër publikim rus në internet, “Daily Storm“, citoi Peskovin të ketë thënë se raporti i “Proyekt Medias” është “marrëzi” dhe se Putin “punon në Moskë”. Nëse është i vërtetë, raporti do të shtonte prova të reja për masat që ka ndërmarrë Kremlini për të izoluar Putinin nga pandemia e koronavirusit.

Putin ka mbajtur kryesisht video-konferenca me guvernatorët dhe ministrat e kabinetit, si dhe fjalime televizive. Ai po ashtu ka zhvilluar disa takime ballë për ballë me grup të zgjedhur individësh. Më 3 nëntor, avioni presidencial është shfaqur duke u nisur nga Soçi për në Shën Petersburg, ku Putin ka marrë pjesë në zbulimin e një akullthyesi të ri.

Proyekt Media gjithashtu tha se shumë gazetarë të akredituar në Kremlin kanë pasur qasje më të kufizuar te Putini në muajt e fundit. Masat e tjera që ka shpallur Rusia për të zvogëluar rrezikun e infektimit të Putinit me koronavirus, përfshijnë instalimin e tuneleve dezinfektuese në Kremlin dhe në Novo-Ogarjovo, ku ndodhet zyra e presidentit. Këto tunele u ngjajnë kontrolleve të sigurisë në aeroporte dhe i spërkasin vizitorët me një mjegull anti-septike derisa ata kalojnë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu