Në fotografinë e përbashkët të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në samitin e Brdo-Brijunit, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ishte në një vend më pak të dukshëm sesa homologët e saj.
Por, kjo nuk ka të bëjë aspak me çështje politike, sipas ekspertëve të protokollit.
Haki Merovci ka thënë se vendin e udhëheqësve në një samit të këtij formati e përcakton protokolli i vendit që e mirëpret atë.
“Janë kriteret të cilat i cakton protokolli i nikoqirit. Për shembull: Rendi alfabetik anglez, pranimi i shtetit në BE, elementi politik i “mosfarkimit” i kundërshtarëve politikë, kriter plus është edhe ai i seniorit – kush është më e vjetri në detyrë si president”.
Merovci ka thënë se megjithatë formati i tavolinës për bisedime është i përshtatshëm.
Eksperti tjetër i protokollit, Tomor Avdija, duke komentuar fotografinë ka thënë se kriter për atë radhitje ka mundur të jetë edhe gjuha e trupit – gjatësia.
“Në atë që kemi parë në fotografinë e liderëve është bërë renditja për shkak të rrethanave. Shikohet pak edhe gjuha e trupit, edhe gjatësia. Për shkak se presidentja Osmani e ka një trup mesatar është paraparë për në pjesën që ishte më e ngritur, sepse podiumi ka pasë shkallë”.
Gjithashtu, Avdija ka thënë se protokollet zbatohen sipas shteteve mikpritëse dhe organizatore, si dhe se ai mund të ndërrohet edhe në momente finale për arsye të ndryshme.









