Pse u ndërpre dje energjia për disa orë në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje dhe Kroaci?

Një incident i madh në rrjetin e sistemit energjetik në pjesën juglindore të Evropës ka bërë që të kishte ndërprerje disaorëshe të rrymës të premten në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe pjesërisht në Kroaci, njoftoi Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO).

“Operatorët e prekur të Sistemit të Transmisionit (OST), me ndihmën e OST-ve fqinje, e rikthyen furnizimin me rrymë në rrjetet e tyre brenda 2 orëve përafërsisht, me qëllim që ta minimizonin ndikimin e ndërprerjes së rrymës tek konsumatorët”, tha ENTSO në një komunikatë të premten vonë .

ENTSO tha se është duke mbledhur të dhëna teknike për këtë incident nga OST-të e prekura dhe se do ta kryejë një hetim në javët në vijim me ndihmën e një grupi ekspertësh.

Kompania e Furnizimit me Energji Elektrike të Kosovës (KESCO) tha për Radion Evropa e Lirë se nuk ka probleme me furnizim me energji elektrike në Kosovë.

Më herët të premten, Operatori i Sistemit të Transmisionit (OST) në Shqipëri tha se shkaktarët e ndërprerjes së rrymës kanë qenë volumet e larta të transmetimit dhe temperaturat ekstreme, që kanë shkaktuar defekte në linjën e interkoneksionit me Greqinë.

“Defekti ka filluar nga linja e interkoneksionit me Greqinë dhe më pas ka vazhduar me efekt kaskadë në të gjithë vendin”, tha OST përmes një njoftimi.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku, tha më vonë se ndërprerja zgjati rreth gjysmë ore në gjithë vendin dhe konfirmoi se, sipas një analize fillestare, temperaturat e larta dhe sistemi i ngarkuar i transmetimit ishin shkaktarë.

“Kemi arritur të rikuperojmë situatën brenda 30 minutash në gjithë vendin, e për Tiranën për 17 minuta”, tha ajo në një video të publikuar në faqen e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Facebook.

Ajo shtoi se Shqipëria “vazhdon të jetë zonë me rrezikshmëri të lartë, sepse volumet e transmetimit në linjat e interkonjeksionit janë të mëdha dhe temperaturat do të mbeten në nivele rekord edhe ditët në vijim”.

Sistemi për shpërndarjen e rrymës në Mal të Zi njoftoi përmes një postimi në Facebook se kishte ndërprerje të energjisë elektrike dhe se pothuajse i tërë vendi ishte pa rrymë të premten pak pas mesditës.

Ministri malazez i Energjisë dhe Minierave, Sasha Mujoviq, tha se problemi i ndërprerjeve të energjisë elektrike ishte “i natyrës rajonale, është një dështim rajonal”.

“Po punojmë për normalizimin e situatës dhe rikthimin e sistemit”, tha Mujoviq të premten më herët.

Ai beson se kjo ka ndodhur për shkak të ngarkesës së madhe.

“Konsumimi u rrit ndjeshëm për shkak të temperaturave të larta. Në një situatë të temperaturave të larta, ndodh që ftohja e ajrit të jetë më e dobët, dhe temperaturat e larta çojnë në rënien e linjës”, shtoi Mujoviq.

Edhe Kroacia njoftoi se disa pjesë të vendit ishin përballur me ndërprerje të rrymës gjatë ditës, përderisa autoritetet kroate, së bashku me homologët e tyre në shtetet fqinje, thanë se po analizonin shkakun e ndërprerjes së rrymës.

Mali i Zi, Kroacia dhe Shqipëria e ndajnë vijën bregdetare të Detit Adriatik. Rrjetet energjetike në rajon vazhdojnë të jenë të lidhura edhe pas luftërave në Ballkan në vitet e ’90-ta.

Operatori i Pavarur i Sistemit në Bosnje e Hercegovinë (BeH) tha se “nuk ishte e mundur të parandalohej kolapsi i sistemit të energjisë elektrike” në këtë shtet.

“Ndërprerja e furnizimit me energji elektrike është përhapur edhe në Kroaci, me të cilën Bosnje e Hercegovina ka numrin më të madh të linjave ndërlidhëse të transmisionit”, tha operatori.

Operatori theksoi se normalizimin e situatës e pengojnë tensionet e larta në rrjetin 400 dhe 220 kilovolt (kV).

Ndërkaq, drejtori i Kompanisë së Energjisë Elektrike në Republikën Sërpska, Luka Petroviq, i tha Radios Evropa e Lirë se arsyeja e ndërprerjes së rrymës në pothuajse tërë territorin e Bosnjës ishte për shkak të një “problemi në rrjetin e energjisë në Mal të Zi”.

Probleme me rrymë nuk janë raportuar në Serbi dhe Maqedoni të Veriut.

Ndërprerja e rrymës të premten pasdite ndodhi në një kohë kur autoritetet në rajon i paralajmëruan qytetarët të jenë të kujdesshëm, të pinë ujë dhe ta shmangin diellin, për shkak të temperaturave tejet të larta.

Meteorologët thonë se i nxehti në rajon këtë javë erdhi nga Afrika.

Ditëve të fundit, Kosova është përballur me temperatura mbi 35 gradë Celsius.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu