Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj punësimeve të fundit në filialin e CEMV-së në Strugë dhe hidrocentralin “Shpilje” në Dibër, duke i cilësuar ato si diskriminuese dhe monoetnike. Sipas BDI-së, në këto dy njësi janë punësuar gjithsej 31 persona, të gjithë nga komuniteti maqedonas, pa përfshirjen e asnjë shqiptari, ndonëse shqiptarët përbëjnë një pjesë të madhe të popullsisë në këto zona.
BDI e quan këtë një formë të diskriminimit institucional dhe një shkelje të parimeve kushtetuese të barazisë dhe përfaqësimit të drejtë. Partia kritikon edhe përfaqësuesit shqiptarë në qeveri për heshtjen dhe mospërgjegjësinë ndaj kësaj padrejtësie.
“BDI u bën thirrje menjëherë drejtuesve të CEMV-së dhe institucioneve përkatëse që të japin shpjegime publike dhe të ndërmarrin masa urgjente për korrigjimin e kësaj padrejtësie. Praktikat e punësimit në ndërmarrjet publike nuk guxojnë të kthehen në mjete të favorizimit etnik dhe klientelizmit partiak”, thuhet në reagimin e instegristëve.