Putin: Mund të eksportojmë grurë nga portet që kontrollojmë në Ukrainë

Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi se ata mund të kryejnë dërgesa të grurit nga Ukraina nga portet e kontrolluara nga Rusia. Në një intervistë për kanalin shtetëror rus “Rossiya-24”, Putin tha: “Ne do të garantojmë sigurinë e afrimit në këto porte, do të sigurojmë hyrjen e anijeve të huaja, lëvizjen e tyre në të gjitha drejtimet në Azov dhe Detin e Zi”.

Duke thënë se ka rrugë të ndryshme alternative për dërgesat e grurit nga Ukraina, Putin theksoi se rruga më e lehtë dhe më e lirë nga këto, është ajo përmes Bjellorusisë.

Ai tha se drithërat mund të dërgohen në portet e vendeve baltike nëpërmjet Bjellorusisë dhe shtoi: “Ato mund të dërgohen në të gjithë botën prej andej. Por për këtë duhet të hiqen sanksionet ndaj Bjellorusisë.

Putin vuri në dukje se nëse si alternativë pastrohen edhe rrugët e tjera detare nga minat, nga portet e Ukrainës mund të bëhen dërgesa edhe në Poloni, Rumani si dhe portet e kontrolluara nga Rusia.

Duke deklaruar se pjesa e Ukrainës në tregun global të drithërave është e ekzagjeruar, Putin tha, “800 milionë tonë drithë dhe grurë prodhohen çdo vit në botë. Thuhet se Ukraina tani mund të eksportojë 20 milionë tonë. Krahasuar me prodhimin global, kjo do të thotë një pjesë prej 2.5 për qind.”

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmitro Kuleba deklaroi se ata janë të gatshëm të rifillojnë eksportet nga porti i Odesës, por se Rusia mund të “abuzojë” me rrugën tregtare për të sulmuar Odesën.

Ministrja Kuleba, në një deklaratë në Twitter, tha: “Ukraina është e gatshme të krijojë kushtet e nevojshme për rifillimin e eksporteve nga Porti i Odesës.”

“Çështja është se si të sigurohemi që Rusia të mos abuzojë me rrugën tregtare për të sulmuar qytetin e Odesës”, tha Kuleba.

Ai vuri në dukje se Rusia nuk ka dhënë asnjë garanci deri më tani dhe se ata po kërkojnë një zgjidhje me Kombet e Bashkuara dhe aleatët e tyre.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu