Putin: Po çka nëse ne do të vendosnim raketa në kufijtë e SHBA-së?

Në konferencën e tij të përvitshme në prag të festave, presidenti rus ka kërcënuar Perëndimin me pasoja nëse nuk heq dorë prej zgjerimit të NATO-s në ish-shtetet sovjetike, sidomos në Ukrainë, e cila i druan agresionit ushtarak rus.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka bërë thirrje Perëndimit që t’i përmbushë shpejt kërkesat e Rusisë për garanci sigurie, që do të ndalonin zgjerimin e NATO-s në Ukrainë dhe që në këtë vend të mos vendoset armatim i kalibrit të lartë të aleancës.Duke folur gjatë konferencës vjetore në prag të festave, lideri rus ka mirëpritur bisedimet me Shtetet e Bashkuara që pritet të fillojnë muajin e ardhshëm në Gjenevë. Megjithatë, ka paralajmëruar se Moska pret rezultate të shpejta nga këto bisedime.

“Po e them troç: nuk duhet të ketë zgjerim të mëtejshëm të NATO-s në lindje”, ka thënë ai. Javën e kaluar, Moska ka dorëzuar një draft me dokumente sigurie, duke kërkuar nga NATO-ja që të mos ia lejojë Ukrainës anëtarësimin në aleancën më të madhe ushtarake në botë. Rusia ka kërkuar gjithashtu që të mos vendosen trupa dhe armatim shtesë në shtetet e Evropës Lindore dhe Qendrore. Një prej parimeve kryesore të NATO-s thotë se aleanca është e hapur për anëtarësim të çdo vendi.

“A jemi ne që po vendosim raketa afër kufijve të SHBA-së?” – ka pyetur Putini. “Jo, janë Shtetet e Bashkuara që kanë ardhur në shtëpinë tonë me raketat e tyre. Ato tashmë janë vendosur në prag të shtëpisë. A nuk është kërkesë e tepërt që të vendosësh çfarëdo sistemesh ofensive afër shtëpisë?”.

Moska ka ngritur kërkesat e saj pas ngritjes së tensioneve për praninë e shtruar ushtarake ruse me shtetin fqinj. Ukrainasit i druajnë një pushtimi të mundshëm rus.

Putini më parë i ka hedhur poshtë supozimet se mund të ketë plane për të lansuar një sulm, por e ka përshkruar zgjerimin e NATO-s dhe vendosjen e armëve në Ukrainë si “vijë të kuqe”.

Kur është pyetur nëse mund të ofrojë garanci se Rusia nuk do ta pushtojë Ukrainën, Putini ka reaguar menjëherë:

“Jeni ju që duhet të na jepni garanci dhe jepni menjëherë, tani, dhe të mos flisni për dekada të ardhshme”.

“Si do të reagonin amerikanët nëse ne do të vendosnim raketa në kufijtë amerikanë me Kanadanë ose Meksikën?” – ka pyetur përsëri ai.

Trupat ukrainase kanë nisur manovrat ushtarake me raketa amerikane anti-tank në lindje të vendit. Ukraina varet me të madhe nga ndihma ushtarake amerikane. Kështu ka ndodhur edhe gjatë konfliktit pothuajse tetëvjeçar me separatistët pro-rusë në lindje.

Kievi nisi të merrte mbështetjen amerikane me raketa anti-tank më 2018. Ushtrimet ushtarake po mbahen në kulmin e tensioneve pas vendosjes së dhjetëra e mijëra trupave ruse në kufi me Ukrainën. Inteligjenca amerikane ka paralajmëruar se Rusia mund të ndërmarrë agresion ushtarak kundër Ukrainës në fillim të vitit të ri. Administrata amerikane ka paralajmëruar pasoja serioze nëse sulmohet Ukraina.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu