Nga Kastriot Myftaraj
Meqenëse Kryeministri Rama ka shprehur dëshirën që të takohet me Presidentin rus, mund të imagjinohet pjesa konfidenciale e bisedës së të dyve, duke njohur karakterin e tyre. Ramës i pëlqen që t’ u bëjë përshtypje shtetarëve të rëndësishëm të huaj duke u folur në mënyrë anekdotike. Putini nuk ia përton që të bëjë humor deri edhe sarkastik. Kështu që pjesa konfidenciale e bisedës mes tyre mund të imagjinohet kështu:
Rama: Babai im Kristaqi i ka bërë studimet universitare në Rusi, në Leningrad.
Putin: E di, rastin e babait tuaj e kishte ndjekur një nga profesorët e mi në shkollën e KGB-së, kur kishte qene oficer i KGB. Ai na e tregonte si anekdotë kur ishim studentë. Me rastin e takimit tonë i kam rifreskuar njohuritë me dosjet e vjetra të KGB. Babai juaj kishte përfunduar shkollën e mesme artistike për skulpturë në 1951, në Tiranë. Shteti shqiptar deshi ta dërgonte me studime për skulpturë në Bashkimin Sovjetik, në Akademinë e Leningradit, por e ndaloi vetë Stalini.
Rama: Vetë Stalini të jetë marrë me Kristaqin 19 vjeçar nga Shqipëria? Më falni zoti President, por duket si e pabesueshme.
Putin: Kështu mund të duket sot, por në atë kohë te ne nuk dukej aspak. Arsyeja ishte se KGB dërgoi një informacion lart, se në listën e njerëzve që duhet të studionin në Bashkimin Sovjetik atë vit, ishte dhe djali ilegal i ish-Mbretit Zog. Meqënëse nuk mund të mendohej që kjo gjë të bëhej pa miratimin e “Stalinit” tuaj, Enver Hoxhës, ky informacion shkoi drejt e në zyrën e Stalinit. KGB fillimisht dyshonte se Enver Hoxha mbante lidhje me ish-mbretin i cili tani ishte bashkëpunëtor i amerikanëve. Pastaj e verifikuan me anë të Kim Philby-t dhe nuk doli kështu. Stalini urdhëroi një hetim më të plotë dhe Enver Hoxha bashkëpunoi sinqerisht. Tha se e kishte trajtuar mirë bastardin mbretëror për ta marrë me të mirë mbretin që ishte në mërgim, që të mos nxirrte dokumente kompromentuese për të. Kështu që incidenti u mbyll dhe mospranimin e Kristaqit për studime në Rusi.
Rama: Zoti President, e paskeni informacionin të gabuar, sepse babai im shkoi në Rusi për studime, qëndroi atje gjashtë vite dhe u diplomua për skulptor.
Putin: Aspak, i dashur mik, vërtet që babai juaj erdhi në Rusi për studime, por pas vdekjes së Stalinit. Stalini vdiq në 1953, babai juaj erdhi për studime në 1954, kur kishte nisur zbutja në vendin tonë, destalinizimi siç e quajtën, megjithëse nuk guxuan ta përdorin këtë fjalë ata bastardë antistalinistë.
Rama: Babai im fliste gjithmonë me nostalgji për Rusinë, këndonte këngë ruse dhe kërcente valle ruse. Mua dhe vëllait tim na e nxiti që në fëmijëri dashurinë për Rusinë. Radio Moska dëgjohej çdo ditë në shtëpinë tonë. Madje më ka bërë përshtypje që edhe nëna ime Aneta, megjithëse kishte studiuar në Poloni, e urrente Poloninë dhe kishte një dashuri të madhe për Rusinë. I kam thënë që të vijë me mua kur më është dashur të vizitoj Poloninë, ose të bëjë vetë udhëtime atje për nostalgji, pork a kundërshtuar me një urrejtje që nuk e kam kuptuar dot.
Putin: Hahahahahaha, të drejtë ka pasur nëna juaj! Ajo ka kaluar eksperienca shumë të këqija me polakët. Në atë kohë KGB e quante Poloninë si frontin më të vështirë pas Gjermanisë Lindore. Ne e kishim shumë të vështirë që të rekrutonim spiunë atje. Kështu që shpesh përdornim studentët e huaj që shkonin në Poloni, për të depërtuar në shoqërinë polake. Polakët iu besonin më shumë të huajve josovjetikë, nga vendet e tjera të kampit socialist, pasi mendonin se i urrenin rusët njëjtë si ata. Nëna juaj, meqënëse ishte mbesa e një anëtari të Politbyrosë në Shqipëri, shihej si e besueshme nga KGB. Ajo ka qenë një nga agjentet më të mira që kemi pasur në Poloni. Një tjetër profesor imi në shkollën e KGB kishte bërë karrierë në sajë të nënës suaj, domethënë të një operacioni ku ishte pjesëmarrëse ajo. KGB kishte të dhëna për një organizatë spiunazhi në Poloni, të krijuar dhe drejtuar nga shërbimet e fshehta amerikane dhe gjermanoperëndimore që kërkonte të rekrutonte oficerë të forcave ushtarake sovjetike që gjendeshin në këtë vend. Ne arritëm ta infiltrojmë nënën tuaj në këtë rrjet, dhe ajo tregoi një talent të madh si spiune. Por polakët u hakmorën ndaj nënës suaj. Kur ajo do të largohej nga Polonia për në Shqipëri dikush ia kishte hequr emrin në listën e atyre që do të udhëtonin me avion. Kështu që nënën tuaj u detyruan ta nisin në Shqipëri me një anije që transportonte mallra nga Gdansku në Detin e Veriut, për në Shqipëri. Një udhëtim i gjatë prej disa javësh. Personeli i anijes përbëhej nga marinarë polakë të cilët kishin qenë të dënuar për revoltat antisovjetike të vitit 1956 në Poloni dhe që tani ishin falur. Ata kishin urrejtje të madhe ndaj rusëve, por më tepër urrenin spiunët e rusëve. Që ditën e parë në anije u hap fjala se cila ishte zonjusha që udhëtonte në anije dhe përse. Te polakët ekziston një mit sikur ushtarët rusë, kur erdhën në Poloni në 1944-45, përdhunuan pothuajse çdo femër polake që ndeshën në rrugën e tyre. Tani imagjinoni një vajzë të re e cila gjendet për disa javë në një anije me disa qindra polakë, që i urrejnë rusët dhe që e shohin atë si spiune ruse. Nëna juaj ka të drejtë që nuk dëshiron të kthehet në Poloni, madje edhe t’ urrejë polakët.
Rama: Nëna ime nuk më ka folur kurrë mirë për polakët. Vetëm për rusët që ka njohur në Poloni më ka folur mirë, por pa më dhënë hollësira.
Putin: E besoj këtë që thua.
Rama: Zoti President, në librin me kujtime të Enver Hoxhës për takimet me Stalinin, kam lexuar se Stalini e kishte si rregull që pasdarke, t’ i ftonte miqtë që kishte për darkë, që të shikonin një film të zgjedhur nga ai. A ruhet edhe sot kjo traditë në Kremlin?
Putin: Hahahahaha, po kam përzgjedhur një film për ju, shkojmë ta shohim.
Rama (kur nis të shfaqet filmi): Qenka një film shumë i vjetër zoti President.
Putin: Po shumë i vjetër, është i vitit 1939. Është një film i vjetër i NKVD (kështu quhej në atë kohë KGB), i xhiruar në Stamboll, në prill 1939. Ju jeni i dyti shqiptar që po e shikoni, pas Enver Hoxhës, të cilit ia ka treguar Stalini. NKVD, në këtë film ka xhiruar në mënyrë sekrete ardhjen e Mbretit Zog dhe shpurës së tij në Stamboll në prill 1939, pas largimit të tij nga Shqipëria kur vendi u pushtua nga Italia.
Rama: Ai shoferi qenka Vlashi!
Putin: Pse habiteni z. Rama, sipas dosjes që kam këtu ti vetë ke pohuar se gjyshi yt në letër, duhet saktësuar, Vlash Rama, ka qenë shofer i Mbretit Zog. Ky ishte udhëtimi i fundit i tij me mbretin.
Rama: Ja ku qenka dhe gjyshe Veronika!
Putin: Po, saktë, femër shumë e bukur kjo Veronika Maria. Gjyshi yt nuk do ta kishte parë as në ëndërr një femër si ajo, nëse nuk do t’ ia kishte bërë dhuratë mbreti. Është momenti kur Zogu ndahet me një pjesë të shpurës së tij që e kishte ndjekur deri në Stamboll. Veçanërisht prekëse është ndarja me gjyshen tëndë Veronikën. Sa mirë që mbretëresha nuk mori pjesë në këtë ndarje, do të kishte ndodhur një grindje mes çiftit mbretëror nëse mbretëresha do të kishte parë ndarjen e mbretit me gruan e shoferit të tij. Shiko si rri gjyshi yt si idiot kur gruaja e tij qan në krahët e mbretit.
Rama: Po ky fëmijë që ia sjell Vlashi mbretit, cili është?
Putin: Nuk e njeh babain tënd Kristaqin? Sipas dosjes në atë kohë ai ka qenë shtatë vjeç. Nëna e tij e ka marrë me vete që të ndahej me babain e tij biologjik, mbretin.
Rama: Ju falenderoj që nuk e keni bërë publik këtë film zoti President.
Putin: Ne e kemi ruajtur sekretin për të respektuar një familje ka pasur një traditë dashurie ndaj Rusisë, si dhe duke menduar se ti, pavarësisht atyre që je i detyruar të thuash, në shpirt je një mik i madh i Rusisë.
Rama: Nga goja ime nuk ka dalë kurrë një fjalë e keqe për Rusinë, sepse i tillë është formimi im. Vallja e parë që më kanë mësuar të kërcej në familje është Kamarinskaja e famshme ruse (E lin kakalin kamalja).
Putin: Epo nëse është kështu na e provoni se nuk e keni harruar. Keni rastin ta kërceni në Kremlin.
Rama: Thonë se Stalini e kishte zakon që për t’ i poshtëruar të ftuarit e darkave të tij, t’ i vinte që të kërcenin valle para tij.
Putin: E vërtetë është. Disa zakone të mira të Stalinit, unë i kam ringjallur.
Rama: Por Stalini nuk e kishte bërë këtë gjë me burrat e shtetit të huaj që ishin të ftuar të tij. Enver Hoxhën nuk e vuri të kërcejë.
Putin: Kush mund ta thotë me siguri këtë. Sekreti i pushtetit të Stalinit, ashtu si i carëve të mëdhenj, ishte te shikimi i tyre. Stalini i kërkonte dikujt të bënte një gjë dhe e vështronte ngultas tjetrin. Nëse Stalini ka thënë “Çohuni dhe kërceni shoku Hoxha!”, sipas mendimit tuaj çfarë ka bërë ai Enver Hoxha juaj?
Rama: Unë them se ai… është ngritur dhe ka kërcyer.
Putin: Edhe unë kështu besoj, sepse Enver Hoxha juaj u kthye i gjallë nga Moska. Tani unë po iu them: Çohuni dhe kërceni Kamarinskajën, z. Rama! (Putin e vështron ngultas)
Rama: Çfarë i ndodh një kryeministri të huaj në Kremlin, nëse nuk i bindet kësaj kërkese, në kohën tonë, z. President, a kthehet i gjallë në vendin e tij?
Putin: Ai kthehet i gjallë por në vend të tij çohen e kërcejnë fletët e kësaj dosjeje dhe ky film.
Rama: A mund të urdhëroni të nisë muzika z. President? Tingujt sikur m’ i sjellin ndërmend më mirë lëvizjet e valles suaj të bukur./Shqiperiaime.al