Putin takon Lukashenkon, paralajmërohet përfshirja e Bjellorusisë në luftë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është nisur drejt Bjellorusisë, ku siç raportoi të hënën mediumi britanik TheGuardian, do të bisedojë me homologun Aleksandar Lukashenko.

Vizita e Putinit në Minsk, e para që nga viti 2019, raportohet se do të zhvillohet për t’i bërë presion këtij shteti për t’u bashkuar në një ofensivë të re tokësore ndaj Ukrainës. Tash e disa ditë është thënë se Rusia po synon edhe hapjen e një fronti të ri të luftimeve.

Gjenerali ukrainas, Valery Zaluzhniy, deklaroi javën e kaluar se Rusia po i bën gati 200.000 trupa të reja për një ofensivë masive që mund të nisë nga lindja, jugu apo edhe nga Bjellorusia në fillim të janarit.

Për muaj me radhë, Rusia dhe aleati i saj, Bjellorusia, kanë zhvilluar aktivitete të vazhdueshme ushtarake.

Trupat ruse u zhvendosën në territorin bjellorus në tetor për t’u bërë pjesë e një formacioni rajonal, me qëllim që të kryhen stërvitje taktike të batalionit.

Lukashenko ishte shprehur në tetor se krijimi i grupit të përbashkët ushtarak me Rusinë po bëhet me qëllime mbrojtëse, duke shtuar se ky grup nuk do të numërojë më tepër se 1 mijë ushtarë.

Përfshirjen e Bjellorusisë në luftë ndaj Ukrainës, Lukashenko e kishte quajtur të rremë, duke thënë se nga ky spekulim, shtetet perëndimore po përgatiten për një sulm ndaj Bjellorusisë.

Analistët ushtarakë po e shohin manovrimin bjellorus si dredhi për ta detyruar Ukrainën t’i angazhojë forcat e saj në veri, në mënyrë që të jetë më e ekspozuar ndaj sulmeve ruse diku tjetër./Periskopi.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu