“Putinit po i mbarojnë armët”, SHBA: Rusia blen miliona raketa dhe predha nga Koreja e Veriut

Inteligjenca amerikane pretendon se ministria Ruse e Mbrojtjes po blen miliona raketa dhe predha artilerie nga Koreja e Veriut, për të vazhduar me perforcime pushtimin e saj në Ukrainë.

Një zyrtar amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, tha të hënën se fakti që Rusia po i drejtohej Koresë së Veriut tregon se “ushtria ruse vazhdon të vuajë nga mungesa të rënda të furnizimit në Ukrainë , pjesërisht për shkak të kontrolleve të eksportit dhe sanksioneve”, shkruan The Guardian.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane besojnë se rusët mund të kërkojnë të blejnë pajisje shtesë ushtarake të Koresë së Veriut në të ardhmen.

Zbulimi i inteligjencës u raportua për herë të parë nga New York Times . Zbulimi vjen pasi administrata Biden konfirmoi kohët e fundit se ushtria ruse në gusht mori dronë të prodhuar nga Irani për t’u përdorur në fushën e betejës në Ukrainë.

Shtëpia e Bardhë tha javën e kaluar se Rusia është përballur me probleme teknike me dronët e serisë Mohajer-6 dhe Shahed, të blerë si pjesë e asaj që administrata Biden thotë se ka të ngjarë të jetë pjesë e një plani rus për të blerë qindra mjete ajrore iraniane pa pilot (UAV).

Koreja e Veriut ka kërkuar të forcojë marrëdhëniet me Rusinë pasi pjesa më e madhe e Evropës dhe perëndimi janë tërhequr. Regjimi ka fajësuar SHBA-në për krizën në Ukrainë dhe pretendon se “politika hegjemoniste” e perëndimit justifikon veprimin ushtarak të Rusisë në Ukrainë për të mbrojtur veten.

Koreanët e Veriut kanë lënë të kuptohet se janë të interesuar të dërgojnë punëtorë ndërtimi për të ndihmuar në rindërtimin e territoreve të pushtuara nga Rusia në lindje të vendit.

Ambasadori i Koresë së Veriut në Moskë kohët e fundit u takua me të dërguar nga dy territore separatiste të mbështetura nga Rusia në rajonin Donbas të Ukrainës dhe shprehu optimizëm për bashkëpunimin në “fushën e migracionit për motive punësimi”, duke përmendur lehtësimin e kontrolleve kufitare pandemike të vendit të tij.

Në korrik, Koreja e Veriut u bë i vetmi komb përveç Rusisë dhe Sirisë që njohu republikat e vetëshpallura në Luhansk dhe Donetsk.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu