PZAP rrëzon vendimin e KQZ-së, miratohet ankimi i Listës Serbe

“Vendimi i 31 janarit i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është i pajustifikuar dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore”. Kështu u shpreh Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në Kosovë duke miratuar ankimimin e Listë Serbe ndaj organit të zgjedhjeve, pasi ky i fundit nuk miratoi listën e kandidatëve për deputetë të partisë së komunitetit serb, kur shpalli rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.

Sipas vendimit, organit që merret me ankesat e partive , shpallja e rezultatit përfundimtar bëhet pas përfundimit të numërimit dhe rinumërimit për të gjitha subjektet politike dhe duhet t’i përfshijë të gjitha subjektet zgjedhore pa përjashtim.

“Çdo shpallje e pjesshme e rezultatit përfundimtar, në rrethana të tilla, nuk ka bazë ligjore dhe bie ndesh me parimet e barazisë së subjekteve zgjedhore, sigurisë juridike dhe transparencës së procesit zgjedhor. Ndaj ky vendim është në kundërshtim me praktikat e mira zgjedhore dhe po ashtu ne kundërshtim me standardet e Komisionit te Venecias” – thuhet ndër të tjera në vendimin e Panelit të Ankesave.

Ky vendim mund të ankimohet në Gjykatën Supreme të Kosovës brenda 48 orëve. Lista Serbe e vlerësoi vendimin e PZAP-së si fitore të së drejtës, ligjit dhe parimeve demokratike, duke shtuar se është një konfirmim i vullnetit zgjedhor të qytetarëve që i dhanë mbështetje partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Lista Serbe, që ka mbështetjen e Beogradit, dorëzoi ankesën në PZAP më 2 shkurt, pasi e cilësoi vendimin e KQZ-s si të paligjshëm dhe diskriminues.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu