Seanca konstitutive, nisi me zgjedhjen e anëtarëve dhe kryetarit të Komisionit Kuvendor për Zgjedhje dhe Emërime, por nuk dihet sa do zgjasë, ndërsa deputetët e VMRO-së sajuan një lloj Filibusteri për ta shtyrë atë sa më gjatë. Formimi i këtij Komisioni, i hap rrugën zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit dhe më pas qeverisë, mes shqiptarëve dhe socialdemokratëve
Replikat dhe polemikat e shumta mes deputetëve të VMRO-DPMNE-së, e cila drejtohet nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, po zvarrisin procedurat për zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë. Seanca konstitutive, nisi dje me zgjedhjen e anëtarëve dhe kryetarit të Komisionit Kuvendor për Zgjedhje dhe Emërime, por nuk dihet sa do zgjasë ndërsa deputetët e VMRO-së sajuan një lloj Filibusteri për ta shtyrë atë sa më gjatë. Formimi i këtij Komisioni, i hap rrugën zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit, por VMRO synon ta bllokojë këtë proces duke mbajtur pezull zgjidhjen e krizës. Deputeti i Lidhjes Social-Demokrate, Oliver Spasovski ka theksuar se përmes një obstruksioni të këtillë synohet të bllokohet zgjedhja e kryetarit të parlamentit.
Ndërkaq, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski ka theksuar se partia që përfaqëson do të përpiqet me të gjitha mënyrat demokratike për të penguar formimin e një shteti binacional, ngase siç ka thënë ai, rrezikon stabilitetin e vendit.
“Nuk është mirë që të tentojmë të formojmë shtet binacional, duke lënë nën hije shumicën e vullnetit të qytetarëve. Përvoja flet se shtetet binacionale nuk janë shtete të qëndrueshme. Ideja për shtet binacional mund të rrezikojë stabilitetin e shtetit. Kandidati për kryetar të Kuvendit nuk mund të jetë kriminel ose dikush që nuk ka integritet të refuzojë platforma të huaja”, ka thënë në foltoren e kuvendit deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Miloshoski.
Më tutje ai ka thënë se duhet të respektohet vullneti i popullit dhe kryetari i Parlamentit të zgjidhet nga VMRO-DPMNE, si parti e cila ka numrin më të madh të deputetëve. Kurse, deputeti i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Petre Shilegov, gjatë pauzës së punës së Parlamentit, tha se bllokimi i seancës konstituive përmes replikave dhe kundër replikave në mes deputete të VMRO-DPMNE-së, është i palogjikshëm. Aq më shumë se paraprakisht socialdemokratët u pajtuan që kryetari i komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emërime të jetë pikërisht nga VMRO-DPMNE.
“Ky komision aktualisht është i pavlefshëm, andaj edhe kemi dorëzuar iniciative me 20 deputetë për zgjedhjen e kreut te Kuvendit, Talat Xhaferrin”, tha Shilegov.
Por, pas kësaj deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, tha se mbledhja ku do të shqyrtohet iniciativa për zgjedhjen e kryetarit parlamentar me iniciativë të 20 deputetëve do të mund të shqyrtohet pasi të këtë përfunduar mbledhja e sotme pa precizuar se kur mund të përfundojnë replikat mes deputetëve të kësaj partie. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka vlerësuar se bllokimi i institucionit ligjdhënës nuk çon në drejtim të zgjidhjes së krizës.
“Nuk mendoj se zgjidhje më e mirë janë bllokadat. Të gjithë duhet të angazhohen dhe të kontribuojnë për zhbllokimin e situatës dhe zhvillimin e proceseve”, ka thënë Ahmeti para se të hyjë në parlamentin e Maqedonisë. Ndërkaq deputeti i vetëm shqiptar që ka folur në Parlament gjatë seancës së sotme ka qenë Xhevat Ademi nga Bashkimi Demokratik për Integrim, i cili ka nënvizuar se platforma e partive politike shqiptare në asnjë mënyrë nuk paraqet platformë të një shteti të huaj, por është një deklaratë e cila paraqet zërin e shqiptarëve të Maqedonisë.
“Ju rikujtoj, t’i lexoni agjendat paraprake qeveritare dhe do të shihni se shumë elemente janë aty e që i ka edhe Platforma, duke filluar nga zyrtarizimi i gjuhës shqipe”, ka theksuar deputeti Xhevat Ademi. Vazhdimi i seancës konstituive të parlamentit ndiqet nga një numër i madh i diplomatëve të huaj.
Zijadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët ka thënë se këto janë përpjekjet e fundit të një pushteti në largim. “Janë pretekst për të nxitur masën se gjoja çfarë po ndodh. Asgjë nuk ndodh nëse në Parlament nuk i ke 2/3 për ndryshimet kushtetuese”, -thotë Zijadin Sela i Aleancës për shqiptarët. Ndërkohë që Lëvizja Besa është përfolur se është kundër kandidatit të BDI-së dhe dëshiron të ketë kandidatin e saj. “Besa njofton se nuk do të mbështesë një kandidaturë të tillë sepse është një propozim i imponuar për ne”, thotë Afrim Gashi nga Lëvizja Besa. Seanca e Kuvendit pritet të vijojë gjatë dhe vetëm në fjalimin e deputetit të parë ka patur 10 kundërpërgjigje.
Deputetët e parlamentit të Maqedonisë u rikthyen në seancën konstituive të ndërprerë prej para disa javësh. Lidhja Socialdemokrate me partitë shqiptare që përbën shumicën në parlament synon të zgjedhë kryetarin e ri të parlamentit, por ligjvënësit e VMRO-DPMNE-së e zvarritën seancën me fjalime dhe replika ndaj vetë kolegëve të partisë së tyre. Kështu, seanca u ndërpre në orët e pasdites për të vazhduar të martën.
Kryetari i ri i kuvendit miratohet me shumicën e thjeshtë, apo 61 vota. LSDM me BDI-në, dhe Aleancën për shqiptarët, pa Lëvizjen Besa ka 62 vota në parlament. Xhaferri pritet të jetë shqiptar, i parë në krye të kuvendit që nga pavarësia e Maqedonisë. Nëse presidenti i vendit vazhdon të mos ia japë mandatin për formimin e qeverisë, partisë së dytë më të madhe të dalë nga zgjedhjet e 11 dhjetorit, atëherë parlamenti, pasi të ketë zgjedhur organet drejtuese, sipas Kushtetutës mund ta thërrasë një seancë ku do të mund të miratohej qeveria e re nga shumica parlamentare./europaelire