Qeveria demanton Lajçakun: Çështja e shqiptarëve në Serbi është përmendur disa herë në dialog

Qeveria e Kosovës ka demantuar përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, i cili ditë më parë ka thënë se çështja e shqiptarëve në Serbi nuk ka qenë asnjëherë pjesë e dialogut.

Sipas ekzekutivit, qysh në takimin e parë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, kryeministri Albin Kurti, ka dhënë propozimin për reciprocitet biletaral edhe për çështjen e pakicave.

“Qeveria e Republikës se Kosovës e konsideron çështjen e pakicave shqiptare në Serbi si ndër më të rëndësishmet në raport me Serbinë”, ka thënë për Telegrafin zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Kjo është dëshmuar qysh nga takimi i parë i nivelit të lartë, ku Kryeministri Kurti ka dhënë propozimin për reciprocitet biletaral edhe për çështjen e pakicave. Ndërkaq, në takimin e dytë të nivelit të lartë Kryeministri Kurti i dhuroi presidentit Vuciq librin ‘Muhaxhirët – Dosja Britanike’ për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit”, tha ai.

“Ndër të tjerash, me z. Lajcak është trajtuar çështja e diskriminimit në punësim të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, me theks në sistemin e arsimit, sistemin e shëndetësisë, atë gjyqësor dhe polici, për çka kemi marrë edhe përgjigje zyrtare nga z. Lajcak, dhe edhe kemi pasur një telefonatë me kryetaren e Preshevës Ardita Sinani në zyrën e tij”.

“Më tej, në takimin e katërt të nivelit të kryenegociatorëve, Zëvendëskryeministri Bislimi ka ngritur çështjen e transferimit të mjeteve të ndara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, pas vështirësive në ekzekutimin e transferit bankar prej 100 mijë euro për banorët e Preshevës, ndonëse vështirësi të njëjta nuk ka qeveria e Serbisë në drejtim të serbëve që jetojnë në Kosovë. Delegacioni i Kosovës ka insistuar për nevojën që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për të transferuar mjete, e cila më pastaj edhe është gjetur falë një dakordimi me z. Lajcak”.

Kryeziu në fund theksoi se duke pasur parasysh qëndrimin e Qeverisë së Kosovës që tema të reja nuk do të hapen për negocim pa u dakorduar për kornizën e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, tema shtesë për negocim në këtë drejtim nuk janë hapur.

Emisari Lajçak në emisionin “Kallxo Pernime” të martën, ka deklaruar se nëse Kosova dëshiron ta bëjë pjesë të dialogut çështjen e shqiptarëve në Serbi, atëherë i takon të propozojë këtë dhe pastaj të shihet nëse do të pajtohet edhe Serbia, “sepse janë palët ato që vendosin se çka është pjesë e agjendës”.

“Unë nuk e detyroj askënd sepse me të vërtetë besoj që ju dëshironi të normalizoni marrëdhëniet dhe roli im është që të ndihmoj në këtë proces”, ka deklaruar Lajçak, duke shtuar se kjo temë asnjëherë nuk është propozuar zyrtarisht apo formalisht. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu