Qeveria e re, pritjet janë shumë të mëdha

Njohësit e çështjeve politike shprehen se Qeveria e re duhet ta rifreskoj me figura të reja dhe profesionale pushtetin ekzekutiv dhe të përkushtohet më shumë në përmirësimin e problemeve reale të qytetareve dhe jetës së tyre Një muaj pas mbarimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, dy partitë fituese Bashkimi Demokratik për Integrim dhe LSDM, pas disa takimeve dhe bisedimeve arritën ta finalizojnë një marrëveshje mes tyre për koalicionin e ardhshëm qeverisës. Liderit i LSDM-së Zoran Zaev dhe i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, janë shprehur se do ta vazhdojnë rrugën euroatlantike dhe do ta dërgojnë vendin drejtë anëtarësimit në BE.

Për formimin e Qeverisë së re, kanë arritur urime të ndryshme nga faktor të jashtëm dhe të brendshëm. Ata kanë uruar të dy liderët politik për arritjen e marrëveshjes së koalicionit. Në anën tjetër lideri i VMRO-së, Hristijan Mickoski, marrëveshjen e arritur mes Ahmetit dhe Zaevit, e ka quajtur “marrëveshje për vazhdimin e krimit, gënjeshtrave dhe korrupsionit”. Ndërkohë opozita shqiptare, e konsideron Qeverinë e re si “jolegjitime dhe të paligjshme, sepse nuk e pasqyron vullnetin real të qytetarëve dhe për këtë arsyeje sipas tyre, nuk do të ketë jetëgjatësi të madhe”. Ziadin Sela, kreu i këtij koalicioni thotë se kjo Qeveri do të kundërshtohet zëshëm në Parlament.

Ndërkohë njohësit e çështjeve politike, shprehen se Qeveria e re duhet të rifreskohet me figura të reja dhe profesionale në pushtetin ekzekutiv, në pritje të detyrave, angazhimeve dhe përgjegjësive të mëdha për të ardhmen e vendit. Politologu, Naim Iijazi, për gazetën KOHA, është shprehur se gjatë formimit të Qeverisë duhet pasur parasysh numrat që fitojnë partitë politike në zgjedhje. “Marrëveshja për formimin e Qeverisë së re mes LSDM-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim ishte e pritur dhe jo diçka e habitshme për opinionin, por deri sa nuk shohim emra konkret në ekzekutiv nuk mund të gjykojmë, aty bartës të funksioneve duhet të jenë dhe që nuk janë të kapur nga krimi apo korrupsioni dhe që nuk janë harxhuar politikisht”, është shprehur Iljazi. Sipas tij, sot qytetarët u besojnë shumë më pak partive politike dhe autoriteteve shtetëror.

Për këtë arsyeje, siç tha ai, Qeveria e re duhet të ketë për obligim rritjen e besueshmërisë tek qytetarët dhe qytetarët të angazhohen më shumë dhe të jenë më aktiv në kërkesat e tyre ndaj Qeverisë, pasi kjo metodë është një binom që vë në funksion gjithë aparaturën e shtetit. Ndryshe, ekspertët dhe profesorët universitar shpresojnë që Qeveria e re të përkushtohet më shumë në përmirësimin e problemeve reale të qytetareve dhe jetës së tyre. Rëndësi të madhe sipas tyre, duhet ti kushtohet edhe “detyrave të shtëpisë” të cilat do ta dërgojnë vendin drejt anëtarësimit në BE. (koha.mk)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu