Analistët dhe hulumtuesit e opinionit publik nuk përjashtojnë mundësinë e koalicioneve pas zgjedhore.
Në emisionin e mbrëmshëm 360 gradë ekspertët theksuan se bindjen e tyre e bazojnë në rezultatet e sondazhit të fundit të publikuar nga Instituti për demokraci sipas të cilave VMRO DPMNE gëzon 26% mbështetje ndërsa LSDM-ja 21 %. Megjithatë madje 33 % e personave të anketuar nuk janë përcaktuar se për kë do të votojnë më 11 dhjetor apo kanë preferuar të mos e zbulojnë vendimin e tyre.
Akademiku Abdylmenaf Bexheti nga ana tjetër thekson se të gjitha opsionet janë të mundura duke pasur parasysh përçarjet e mëdha në shoqëri.
Nga Instituti për demokraci sqaruan se rezultatet nga anketat nuk mund të llogariten në mandate, pasi anketa bëhet në nivel të shtetit, ndërsa mandatet dalin nga çdo njësi zgjedhore në veçanti.







