Nuk ka marrëveshje për rritjen e pagës minimale në 600 euro, siç kërkoi Lidhja e Sindikatave. Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov, deklaroi se edhe pse të gjithë licituan për rritjen e pagës minimale madje në 1000 euro, nuk ka gatishmëri për marrëveshje. U bëri thirrje Qeverisë dhe punëdhënësve të bien dakord, ndërsa nëse kjo nuk ndodh së shpejti, sindikatat do të dalin në protesta.
“Jemi të shqetësuar nga kjo gjendje, për të qenë i sinqertë të shqetësuar janë edhe punëtorët, Vitin e Ri do ta presin si më të varfrit në Ballkan dhe më të varfrit në Evropë, nëse kjo është urimi që duan ta dërgojnë nga seanca e sotme, atëherë të gjithë pjesëmarrësit e seancës do të na detyrojnë edhe ne ta urojmë Vitin e Ri në një mënyrë tjetër”, tha Sllobodan Trendafillov – kryetar i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë.
Ministri i Ekonomisë Besar Durmishi vlerëson se në kushte të tilla ekonomike nuk ka arsye për një rritje të menjëhershme të pagës minimale.
“Kjo do të shkaktojë problem ku do të kemi rritje të inflacionit, projeksionet tona janë që vitin e ardhshëm inflacioni të jetë nën 3 për qind, që është stabilizim i çmimeve. Do të përballen ndërmarrjet e vogla dhe të mesme me probleme ekonomike-financiare, ku do të duhet të largojnë nga puna të punësuarit, por përsëri them se pavarësisht kësaj, nëse ka marrëveshje të përbashkët mes sindikatave dhe punëtorëve, ne do ta pranojmë”, theksoi Besar Durmishi- ministër i ekonomisë.
Kryetari i Konfederatës së Biznesit theksoi se rritja e pagës minimale në këtë moment është e pamundur.
“Një nga propozimet e Konfederatës së Biznesit është që në kuadër të ligjit për marrëdhënie pune të zgjerohet negociimi kolektiv, me ç’rast do të përfshihet edhe paga minimale, veçanërisht në disa sektorë. Propozimi ynë është që me negociimin e pagës minimale në disa sektorë mund të ulen edhe keqpërdorimet, kështu që topi është mes sindikatave dhe punëdhënësve”, u shpreh Mile Boshkov – kryetar i Konfederatës së Biznesit.
Në Shqipëri paga minimale nga 1 janari do të jetë 500 euro, në Kosovë 430 euro, ndërsa nga qershori edhe atje do të arrijë në 500 euro, në Serbi 550 euro, ndërsa në Bosnjë- Hercegovinë paga minimale do të jetë sa mesatarja në Maqedoni./ Alsat.mk









