Qeveria në Kosovë: Takimi mes Kurtit e Vuçiçit, me shumë gjasë mbahet të dielën

Qeveria e Kosovës ka thënë se “me shumë gjasë” nesër do të ketë një takim në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili shtoi se do ta bëjnë të ditur edhe orën e takimit.

Për këtë takim pati folur edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili në një konferencë për media kishte thënë se takimi “mund të ndodhë shumë shpejt”.

“BE-ja pret progres në dialog, depërshkallëzim dhe gatishmëri konstruktive për të avancuar. Ne jemi në krizën më të keqe nga viti 2013 dhe Përfaqësuesi i Lartë e ka bërë të qartë se çka presin nga të dyja palët dhe çfarë jemi bërë ne për t’i ndihmuar ata dhe për i dhënë një zgjidhje europiane për situatën. Ne mbesim të përkushtuar që të mirëpresim të dy, kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, në Bruksel për një takim të lartë sa më shpejt që është e mundshme dhe sa më shpejt që ata janë të gatshëm që të tregojnë sjellje europiane për të gjetur një zgjidhje europiane për problemet mes tyre”, u shpreh Stano të martën.

Edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka folur për një takim të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë pas një takimi të Këshillit të Punëve të Jashtme, të hënën.

“Unë jam gati të mbledh liderët nëse negociatorët arrijnë të përparojnë drejt një zgjidhjeje praktike për çështjen e targave para afatit të 21 nëntorit. Nuk mund ta arrijmë këtë datë pa një marrëveshje ose do të jemi në prag të një situate të rrezikshme”, tha Borrel.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu