Katër vjet më parë, Kievi njihej më shumë për gjakderdhje e protesta sesa për inovacione. Por kjo gjë tani po ndryshon me hov të madh, ngase qyteti po përjeton lulëzim të sektorit të teknologjisë, duke bërë që ekspertët e teknologjisë informative të fitojnë dhjetëfish më shumë sesa paga mesatare në nivel vendi.
I shtrirë kudo përgjatë Ukrainës, lumi Dnieper e ndan këtë shtet prej 45 milionë banorësh në dysh teksa rrjedh në jug përgjatë Kievit krejt deri te Deti i Zi, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. Kur dielli të lindë, nuk ekziston mënyrë më e mirë për t’i shijuar bukuritë e qytetit përpos me anë të një shëtitjeje mbi urën Parkovy Pedestrian.
Në orën gjashtë të mëngjesit, grumbuj të rinjsh njëzet e ca vjeçar ende kthehen dalëngadalë në shtëpitë e tyre, pas një nate të çmendur ahengu. Është kjo ora më e qetë e ditës në qytet, para nisjes së tollovisë së trafikut dhe zhurmës që e përkufizon jetën në të.
Ama më 2014, Kievi qe epiqendër e revolucionit të dytë të mijëvjeçarit në vend. Ukrainasit e vërshuan përsëri qytetin me protesta dhe në fund e rrëzuan presidentin. Ngjarja rezultoi me gjakderdhje dhe pasojat ishin të kudovërejtura, me reperkusione të papritura.