Rama: Egjipti mirëpriti shumë emigrantë shqiptarë, kemi rrënjë të thella të miqësisë

Kryeministri Edi Rama, ka zhvilluar një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Republikës së Egjiptit, Mostafa Madbouly.

Kryeministri falënderoi homologun e tij për mikpritjen dhe bashkëpunimin e ofruar nga Egjipti. Ai gjithashtu theksoi se ky vend i ka mirëpritur emigrantët shqiptarë në të njëjtën mënyrë siç ka pritur edhe emigrantë nga shtete të tjera.

Më tej tha se muajin tjetër pritet që në Tiranë të zhvillohet një takim mbi çështjet ekonomike.

Më lini të shpreh mirënjohjen time për mikpritjen që përcaktohet me ndjenjën e fortë të miqësisë. Po ashtu edhe për takimin me presidentin, të cilit dua ti shpreh publikisht falënderimet. Është një nder dhe krenari të gjendem këtu dhe të flas për këtë rrënjë të miqësisë sonë të gjatë. Nuk dua të flas për të shkuarën apo shtigjet që Muhamet Ali hapi, por do të thoja pak fjalë për pjesën tjetër që për shkak të figurës së tij që ishte imponuese, ndonjëherë ka mbetur pak në hije. Rrethuar nga gjeneralë e komandantë, Muhamed Ali i kushtoi një rrugë të tërë punonjësve shqiptarë. Egjipti mirëpriti shumë shqiptarë, emigrantë nga Shkodra, pa harruar Korçën dhe e bëri me të njëjtën hapësi me të cilën priti italianët, grekët apo francezët. Më duhet të them se shqiptarët qoftë myslimanë apo të krishterë ishin administratorë apo edhe doktorë. Kujtoj dr. Mihal Turtulli , i krishterë . Unë jam krenar të them që shqiptarët dhanë kontributin e tyre dhe dhanë shumë për këtë vend”, tha Rama.

Moustafa Madbouly gjatë fjalës së tij theksoi nevojën për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Ai tha se u diskutua për marrëdhëniet tregtare, kulturore, të turizmit.

Në takimin tonë diskutuam për të forcuar marrëdhëniet mes kombeve tona dhe u përqendruam në fusha të ndryshme përfshirë turizmin, energjinë, tregtinë dhe kulturën. Gjithashtu shkëmbyem edhe pikëpamje për çështje ndërkombëtare, diskutuam dhe mbledhjen e seancës së parë të Komitetit për bashkëpunim teknik shkencor e kulturor që do të bëhet në kryeqytetin Tiranë muajin tjetër.

Jam besimplotë se ky takim do të jetë kuadër mbështetës për marrëdhëniet tona dhe do të nxitë bashkëpunimin për ekonominë dhe investimet. Theksova dhe rëndësinë e ngritjes të një komisioni të përbashkët të Këshillit të biznesit të Shqipërisë dhe atij të Egjiptit me përfaqësues të Federatës të dhomave të tregtisë dhe industrisë. Nënshkruam 3 marrëveshje bashkëpunimi. Kjo vizitë një pikë kthese të bashkëpunimit mes dy vendeve. Egjipti pret të forcojë marrëdhëniet me të”– tha kryeministri i Egjiptit.

Marrëveshjet e nënshkruara:

-Memorandum mirëkuptimi mbi bashkëpunimin në fushën e muzeve ndërmjet Muzeut Historik Kombëtar të Republikës së Shqipërisë dhe Këshilli i lartë i Antikiteteve i Republikës Arabe të Egjiptit
-Program ekzekutiv mbi bashkëpunimin kulturor midis Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës Arabe të Egjiptit
-Protokoll bashkëpunimi ndërmjet panairit të librit në Tiranë dhe Organizatës së përgjithshme të librit egjiptian.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu