“Rama gënjeu paturpësisht për Erionin”, Shehaj: Familja e përgënjeshtroi, mos dil më, jep dorëheqjen

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se ishte kujdesur personalisht për kurimin në Itali të Erion Vishkullit, 28-vjeçarit që policia e qëlloi me plumb gome në sy në protestën e 24 tetorit.

Shehaj ka publikuar reagimin e motrës së të riut e cila thotë se deklarata e kryeministrit është propagandë dhe se në Itali Erionin po e çon familja dhe miqtë e tij.

“Edi Rama tha që është kujdesur personalisht për të çuar Erionin për kurim në Itali. Kjo është një gënjeshtër.

Motra e Erionit, sapo ka bërë publike, ka bërë një postim ku ka thënë që Erionin po e çojnë jashtë miqtë, mbështetësit dhe familjarët e tij dhe jo Edi Rama dhe i ka bërë thirrje portaleve të ndalojnë propagandën e Edi Ramës dhe të tregojnë të vërtetën që Edi Rama nuk ka bërë asnjë gjë për Erionin por e kanë bërë familjarët e tij’, shprehet Shehaj.

Sipas kreut të Mundësia, ‘propaganda nuk funksionon më’ dhe i kërkon kryeministrit Rama të japë dorëheqjen.

Shehaj ka publikuar edhe mesazhin prekës të Erionit nga shtrati i spitalit, ku kërkon që protestuesit të vijojnë e të mos ndalen deri në fitore sepse ‘Shqipëria është e jona’.

‘Erioni, ndërkohë që ishte në shtrat, në kushtet e vështira në të cilat ndodhet tha shprehimisht: ‘Do fitojmë. Shqipëria është e jona’.

Edi Rama nuk ka për t’ja dalë. Duhet të japë dorëheqjen. Propaganda e tij bajate ka marrë fund’, e mbyll reagimin e tij Shehaj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu