Rama i kujton BE-së influencën ruse: Bëmë çfarë na kërkuat, tani hapni negociatat

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për prestigjiozen “Financial Times” ka kërkuar edhe një herë tjetër nga BE hapjen e negociatave me Shqipërinë, si pjesë e zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor për të forcuar sigurinë evropiane.

Rama tha se do të ishte e çuditshme që BE-ja të mos dëshirojë të “përqafojë” rajonin që ndodhet në epiqendër të rrugëve të migrimit dhe që është pikasur nga Rusia si një çmim strategjik.

“Për ne do të ishte shumë e çuditshme nëse Bashkimi Evropian nuk do të hapte menjëherë negociatat, pasi ka bërë ekzaktësisht gjithçka i është kërkuar të bëjë”, tha ai, duke nënvizuar se Serbia dhe Mali i Zi tashmë i kanë nisur negociatat për anëtarësim në BE.

“Është çmenduri të mendosh se Ballkani Perëndimor mund të lihet mënjanë, vetëm, jashtë Europës”, është shprehur më tutje.

Rama foli për rëndësinë e Shqipërisë dhe vendeve fqinje në uljen e rrjedhës së imigrantëve për në Union, dhe shtoi se interesat dhe influenca e Rusisë në Ballkanin Perëndimor është reale.

“Moska kurrë nuk ka hequr dorë nga të shikuarit rëndësinë gjeopolitike të rajonit – e cila nuk shikohet nga shumë në BE, me përjashtim të kancelares gjermane Angela Merkel”, tha Rama.

Kreu i ekzekutivit shtoi ndër të tjera se Shqipëria kishte bërë përparime të mëdha në uljen e kultivimit të kanabisit dhe shkallën e vrasjeve në vend.

Ndërkohë themi se intervista e dhënë gjatë vizitës në Bruksel vjen para samitit të liderëve të BE-së që do të mbahet këtë javë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu