Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se VMRO DPMNE-ja dhe Nikolla Gruevski kishin pranuar pa asnjë kusht deklaratën e partive shqiptare, për të cilën edhe një herë tha se nuk është e Tiranës. Rama tha se arsyet e mos arritjes së koalicionit, i din më së miri Gruevski i cili pas dështimit, filloi të hedh akuza ndaj platformës.
E vërteta është që Gruevski dhe partia e tij janë dakordësuar pa vënë kushte për platformën e Tiranës. Kur nuk është realizuar dakordësia, për shkaqe që Gruevski i di shumë mirë, atëherë është hedhur mbi platformën e Tiranës, që s’është e Tiranës fare. Nuk mund të nxitësh një konflikt etnike për arsye pushteti, është thjesht një arsye pushteti dhe s’ka lidhje fare me atë çka propagandohet. Por çdo gjë ka një kufi dhe boll kjo lojë me shqiptarët dhe boll kjo lojë me të a.q. Platformë të Tiranës, sepse nuk mund të luash politikisht për të goditur kundërshtarin e të njëjtës etni, duke futur ndasi me etni tjetër. Kjo është shumë e rrezikshme. Unë jam shumë i shqetësuar për këtë – deklaroi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.
Në intervistë për Vizion Plus në Shqipëri, Rama përsëriti edhe një herë se shqiptarët në Maqedoni nuk mund të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.
Se kush është qëndrimi ndaj popullit maqedonas, ne e kemi treguar me një provë shumë të madhe. Një komunitet maqedonas që është një minoritet shumë i vogël në numër, në zonën e Korçës, atje në ish Liqenas, i vumë dhe emrin Pustec siç e donin, i dhamë edhe një bashki më vete, jashtë gjithë parametrave të përcaktuara për të pasur një bashki. Pse?! Për t’i dhënë një mesazh të qartë dhe shumë kuptimplotë dashamirësie dhe bashkëjetese ashtu siç duhet të jetë. Jo më një popull shtet formues atje në Maqedoni, që është pjesë e entitetit shtetëror maqedonas, të mund të trajtohet sikur është një popull i dorës së dytë – u shpreh Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.
Platforma e përbashkët e partive shqiptare u bë shkak që presidenti Gjorge Ivanov të mos ka dorëzojë Zoran Zaevit mandatin për formimin e Qeverisë edhepse ky i fundit siguroi firmat e 67 deputetëve.










