Rama: Nëse s’lirohen policët kosovarë këtë javë, rikthehet akulli në marrëdhëniet me Serbinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë thirrje për lirimin e tre policëve kosovarë që janë kidnapuar nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.

Rama ka thënë se sa më gjatë të mbahen në Serbi policët kosovarë, aq më pak do të jetë e mundur të ketë marrëdhënie bilaterale mes Shqipërisë e Serbisë.

Ai ka thënë se “do të rikthehet akulli mes dy vendeve, nëse policët nuk lirohen”.

“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!” – ka shkruar Rama në Twitter.

Ai po ashtu ka përsëritur thirrjet ndaj Kosovës e Serbisë për depërshkallëzim të tensioneve. Rama ka thënë se sa më tepër që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të “këmbëngulë në të tijën kundër aleatëve”, aq më shumë situata do të tensionohet dhe se do të kthehet KFOR-i në krye të punës.

“Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFOR-in në krye të punës! E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFOR-it në beriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb veriun duke parë kudo armiq e tradhtarë! Koha është tani dhe po fluturon!” – ka shkruar Rama.


>

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu