Rama për një musliman të majtë: Shqipëria s’ka vajza të mbuluara por muslimane me shami

Në aktivitetin e Puljas në kuadër të 30-vjetorit të eksodit shqiptar drejt Italisë, i pari i qeverisë së Tiranës ofroi një përvojë të tijën në lidhje me paragjykimin ndaj Shqipërisë nga të huajt.

Dhe fjala është për kohën në të cilën ai është kryeministër.

“Mora një mesazh nga përgjegjësi i zonës VIP në Tiranë dhe mendova mos kishte ndonjë bombë në aeroport, pasi s’kisha folur kurrë me atë. Më thotë se ‘kemi një situatë të jashtëzakonshme. Nuk e kemi parë më parë, është një VIP që nuk do të hyjë në Tiranë’.

Unë i them ‘nuk do të hyjë apo nuk do të niset për Tiranë?’, më thotë ‘një që refuzon që të hyjë në Tiranë se do të shoqërohet njerëz të armatosur’.

Për korrektesë nuk e them se kush është, një musliman i së majtës, që si një koncept paraprak nuk duhej të kishte paragjykime kaq të mëdha. Dhe i them që ‘a janë aty shërbimet që shoqërojnë VIP-at?’, më thotë se ‘janë të armatosur, por zotëria nuk e quan pistoletën një armë të mjaftueshme për t’u mbrojtur”,

‘I thoni nuk është një shërbim që të futet në Kandahar, nuk ndodhet në Rripin e Gazës’.

Pasi u fut në Tiranë, të nesërmen më thotë: ‘Duhet t’ju kërkoj një falje shumë të madhe’.

Më thotë: Kam udhëtuar shumë, Shqipëria nuk është ashtu siç e prisja’.

I thashë: Mos u shqetësoni, se perceptimi është më shumë ndryshe nga realiteti.

Ai më tha që ‘bëra një xhiro në Tiranë dhe nuk pashë asnjë grua të mbuluar, dhe i thashë: ‘Po, se nuk ka gra të mbuluara në Shqipëri, ka vajza myslimanë që vënë shami’”, tha Rama në rrëfimin e eksperiencës së tij me të huajin, që siç e theksoi, nuk donte t’ia thoshte emrin.

Kujtojmë se shefja e protokollit në zyrën e Ramës është një femër me shami, një fakt i pabërë publik ky, e quajtur Armela Nano.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu