Rama rrëfen prapaskenat, tregon momentin kur për pak i’u rrëzua Qeveria

Kryeministri Edi Rama ka treguar sot pjesë nga prapaskenat e një viti më parë kur së bashku me LSI-në atëherë në Qeveri kishin kontradikta për miratimin e Reformës në Drejtësi.

Duke folur në një aktivitet për ecurinë e kësaj reforme, ai tha se për shkak të kundërshtimeve të mëdha, Qeveria mund të rrëzohej.

“Nëse sot Shqipëria është më afër se asnjëherë momentit historik të çeljes së negociatave në BE, kjo i dedikohet PS-së që e mori në sy sfidën dhe rrezikun dhe që në një moment të caktuar rrezikoi të qeveriste për shkak të një përpjekje për të rrëzuar qeverinë. Sot sfida për ta bërë Shqipërinë është një sfidë e cila është qartësisht në dorën tonë sepse është një sfidë që kalon pikërisht përmes realizimit në terrenin e jetës së përditshme të kësaj reforme të pandalshme”, tha Rama.

Sipas tij “Çfarë do vijë më tutje do të provojë se sa me vend është ambicia jonë dhe se sa me vend është mbështetja e 99% të shqiptarëve për këtë reformë, zbatimi i së cilës do të fillojë të ndajë në vitet në vijim politikanët që i shërbejnë vendit nga politikanët që vendin e duan si një mjet për ti shërbyer vetes. Do të ndajë politikanët që e luftojnë krimin dhe korrupsionin me gjithë mend nga politikanët që krimin dhe korrupsionin i kanë materie bazë për baltën e përditshme ndaj kundërshtarit. Do të ndajë Shqipërinë e të paprekshmëve dhe të gjithë pushtetshmëve nga Shqipëria e të gjithëve si të barabartë përpara ligjit”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu