Rama shpall vendimin: Zero taksa biznesit të vogël deri në vitin 2029

Kryeministri Edi Rama shpalli sonte vendimin e qeverisë që drejton, që biznesi i vogël me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë të reja, do të ketë zero taksa nga viti që jemi dhe deri në vitin 2029.

Në intervistë për Opinion, z.Rama tha se ka vendosur që të heqë taksat për këtë kategori biznesi për afro dhjetë vitet e ardhshme. Më tej ai sqaroi se bëhet fjalë për heqjen e tatimit mbi fitimin për biznesin e vogël, por shtoi se me shumë gjasa hiqet edhe TVSH.

“Këta njerëz nuk do të kenë detyrim të paguajnë tatim fitimi deri në vitin 2029”, tha kryeministri Edi Rama.

Ai shtoi se probabilisht do të hiqet edhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar TVSH për biznesin e vogël me xhiro deri në 14 milionë lekë të reja ose afro 140 mijë dollarë, raporton noa.al. “Pa tatim fitimi, pa TVSH deri në 2029”, tha Rama.

Rama deklaroi se në paketën fiskale do të hiqet tatimi mbi fitimin deri në vitin 2029 për biznesin e vogël me xhiro deri 14 milionë lekë të rinj. Ai sqaroi se nisma vjen në kuadër të Shqipëria 2030 dhe informoi se brenda qershorit do të shpallet me detaje ky vizion i dhjetëvjeçarit të ardhshëm.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu