Ramadan Ramadani: Bashkimi i VLEN-it në një subjekt të vetëm, lajm i mirë për shqiptarët dhe shtetin

Analisti politik Ramadan Ramadani e ka vlerësuar si zhvillim pozitiv shndërrimin e koalicionit VLEN në një subjekt të vetëm politik, në prag të kongresit të paralajmëruar për 9 maj.

Në një reagim publik, Ramadani thekson se unifikimi i VLEN-it përbën një lajm të mirë në disa dimensione – kombëtar shqiptar, qeveritar dhe shtetëror.

Sipas tij, nga prizmi kombëtar shqiptar, bashkimi i forcave politike në një adresë të përbashkët ndihmon në forcimin e përfaqësimit politik dhe në ndaljen e fragmentarizimit të tij, i cili për vite me radhë ka rrezikuar të dobësojë zërin unik të shqiptarëve në vend.

“VLEN-i një, është lajm i mirë”, shprehet Ramadani, duke shtuar se ky zhvillim krijon mundësi për një përfaqësim më të konsoliduar dhe më të fuqishëm, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij.

Në aspektin qeveritar, ai vlerëson se unifikimi pritet të ndikojë në përmirësimin e funksionimit të institucioneve, duke tejkaluar vonesat dhe paqartësitë në emërime dhe përfaqësim, veçanërisht në sektorë ku mungon prania e shqiptarëve.

Ndërkohë, Ramadani thekson se ky proces është i rëndësishëm edhe për vetë shtetin, pasi sipas tij, funksionimi i qëndrueshëm institucional kërkon përfaqësim, besim dhe legjitimitet nga të gjitha komunitetet.

Bashkimi i VLEN-it në një subjekt të vetëm pritet të formalizohet në kongresin e 9 majit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu