Gjykata Penale në Strugë e ka shpallur të pafajshëm kryetarin aktual të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, në çështjen që lidhej me blerjen e një veture luksoze Audi me vlerë 67 mijë euro.
Sipas vendimit të gjykatës, nuk është provuar se Merko kishte qëllim të kryente vepër penale. Avokati i tij, Igor Petkovski, deklaroi se gjykata nuk ka konstatuar shkelje të ligjit në procedurën e prokurimit publik për blerjen e veturave në vlerë totale prej 114 mijë euro, të destinuara për nevojat e komunës.
Akuza ndaj Merkos ishte ngritur në mars të vitit 2024, pas një kontrolli të posaçëm në Prokurorinë e Strugës, ku u konstatua se Merko dyshohej për së paku 30 vepra penale. Pas këtij konstatimi, ai u përball me një sërë hetimesh të reja për shpërdorim të detyrës zyrtare. Ramiz Merko ndodhet ende në listën e zezë të SHBA-së, për shkak të dyshimeve mbi korrupsion dhe keqpërdorim të funksionit publik.