Rasti “Kumanova”, Sefaj: S’jemi terroristë, kishim mision paralajmërues

Genc Sefaj dhe Lendrit Rrustemi janë të akuzuarit e radhës që dëshmuan për rastin e Kumanovës.

Të dy përveç se hodhën poshtë akuzat për terrorizëm, thanë se misioni i tyre nuk ka qenë nxitja e konfliktit, por vetëm paralajmërim dhe parashtrim i kërkesave për ndryshimin e gjendjes së shqiptarëve në Maqedoni.

Sefaj në Maqedoni ka arritur më 1 maj, ndërsa më 4 maj është stacionuar në “Lagjen e trimave”. Ai sqaroi se deri më 8 maj nuk kanë bërë asgjë, prandaj kanë kërkuar nga Mirsad Ndrecaj që kumtesën ta bëjnë vetë.

“E përpiluam kumtesën me këto kërkesa: ridefinimi i statusit shtetformues i shqiptarëve, gjuha shqipe të jetë zyrtare dhe e barabartë me gjuhën maqedonase, regjistrimi i popullsisë, zgjidhja e problemit me nënshtetësitë, ndërprerja e gjuhës së urrejtjes, ndërprerja e rasteve të montuara, si “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra” dhe zbardhja e tyre, zbardhja e vrasjeve të bashkëluftëtarëve tanë, – konkretisht rasti i Harun Aliut – Kushtrimit,- të ndërpritet diskriminimi në buxhet, kulturë, arsim e kështu me radhë”,- deklaroi Genc Sefaj para Gjykatës.

Njëjtë si të akuzuarit e tjerë, edhe Sefaj pohon se policia s’ka pasur për qëllim arrestimin e tyre, pasi që sulmin e kanë filluar pa asnjë paralajmërim. Para trupit gjykues, Sefaj tha se Fatlum Vishesella dhe Xhafer Zymberi janë vrarë nga një snajper në kohën kur OSBE kërkonte armëpushim. Sipas tij, armëpushimi është respektuar vetëm nga ana e grupit për t’i lënë kohë civilëve të largohen, ndërsa policia vazhdonte sulmin.

Avokatja, Artene Iseini, tha se nga dëshmitë e të akuzuarve tregojnë qartë se nuk bëhet fjalë për veprën terrorizëm, por grupi ka pasur si qëllim realizimin e të drejtave të shqiptarëve.

“Motivi i Gencit dhe Grupit ka qenë që të bëhet trysni tek politika për realizimin e të drejtave të shqiptarëve, ku dha një sqarim se është përgatitur një komunikatë nga ana e këtyre djemve, e përbërë nga shumë pika, ku janë elaboruar në mënyrë të detajuar kërkesat e tyre. Këta djemtë e luftojnë terrorizmin dhe çdonjëri e ka sqaruar në dëshminë e tyre se janë patriotë dhe janë në shërbim të çështjes kombëtare”,- u shpreh avokatja, Artene Ademi – Iseini.

Enver Hoxha – Klain është tërhequr nga dëshmia. Hoxhaj përmes avokates së tij ka thënë se nuk beson në këtë proces gjyqësor dhe se nuk është terrorist, por vetëm një ushtar, i cili gjithmonë do të jetë në shërbim të çështjes kombëtare.

Seanca e radhës për këtë proces gjyqësor është caktuar të mbahet më datën 17 mars. (Sanije Duraku, TVM2)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu