Shumica e të akuzuarve në rastin “Lagja e Trimave” në dëshmitë e tyre theksojnë se Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj kanë komunikuar me njerëz në Maqedoni, por emri i tyre nuk publikohet, njofton TVM2.
Edhe i akuzuari, Bajram Elshani, në dëshminë e tij para trupit gjykues tha se dikush i ka ftuar në Maqedoni.
“Dikush i ka thirr prej këtu. Nuk e di kush. Edhe unë dua ta di kush na solli deri këtu. Mirsadi dhe Begu ishin kryesorët, duhej të dilnin me një komunikatë me 18-19 maj”,- tha Elshani. Ai sqaroi se në Maqedoni ka hyrë natën mes një dhe dy majit, ndërsa në “Lagjen e Trimave” është vendosur më 3 maj.
Edhe ky i akuzuar kategorikisht mohoi aktakuzën për terrorizëm.
“Brenga ime ka qenë cenimi i të drejtave të shqiptarëve dhe moszbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit. Në Kosovë jetojnë tre për qind serbë dhe i gëzojnë të gjitha të drejtat e barabarta me ne, ndërkaq këtu në Maqedoni ende pas 15 viteve vazhdohet të diskriminohen shqiptarët”,- tha Elshani para trupit gjykues.
Avokati, Naser Raufi, tha se janë spekulime pretendimet se grupi ka marrë para për këtë rast.
“Nuk vjen në pyetje ndonjë motiv që kanë qenë të hollat në pyetje, kjo përjashtohet tërësisht. Këtë punë e kanë vërtetuar prej te i pari, Sami Ukshini, deri te i tanishmi, se nuk ka qenë në pyetje interesi material, por vetëm kauza shqiptare. Elshani e përmendi trajtimin e etnikumit shqiptar, jobarabarësinë, mosimplementimin e MO-së, diskriminimin. Motivi është i njëjtë i të gjithëve”,- theksoi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Për dallim nga të akuzuarit e tjerë, Elshani vendosi të flasë edhe për përdhunimin e tij në stacion policor.
“Dy policë të uniformuar, pjesëtarë të Njësisë Speciale “Tigrat”, më kanë futur në njërën prej tualeteve të stacionit policor, mirëpo aty kishe pasur kamerë dhe më nxjerrën në një tjetër. Kur më futën brenda, përderisa unë qëndroja me duar të lidhura, mi zhveshën rrobat, dhe njëri prej tyre u zhvesh po ashtu, dhe më pas më vjen turp të tregoj se çfarë më ka ndodhur…”,- tha Elshani.
Rrëfimi i të akuzuarit i shkaktoi të qeshura prokurorit, Naum Panovskit, i cili e demantoi një gjë të tillë. Por, avokati, Naser Raufi, e pranoi se në këtë rast klienti i tij, Elshani, ka qenë i përdhunuar.
RASTI “LAGJA E TRIMAVE”, SEFAJ: JEMI TORTURUAR PARA SYVE TË PROKURORËVE
Situata e tensionuar, e cila u krijua pasi që Bajram Elshani e shpjegoi nënçmimin të cilin policia ia kishte bërë, ka reaguar edhe i akuzuari tjetër, Genci Sefaj.
Ai theksoi se pavarësisht maltretimeve që u janë bërë në polici edhe pas dorëzimit, ata janë rrahur edhe gjatë kohës sa kanë dhënë deklarata para prokurorëve.
“Mua personalisht më kanë rrahur në prezencën tuaj, zonja prokurore. Këto veprime janë bërë në një shtet i cili veten e quan shtet, institucionet e të cilit gjoja i respektojnë konventat ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njeriut”,- tha Sefaj duke iu drejtuar prokurores, Vilma Ruskovska.
Akuzave drejtuar Prokurorisë i janë bashkangjitur edhe të akuzuarit e tjerë, Fatmir Reçica dhe Andi Krasniqi. (Sanije Duraku, TVM2)